maj122022
Parandalimi kardiovaskular. Medikamentet e bazuara në evidenca, shpesh, nuk shfrytëzohen nga pacientët në rrezik
Sipas një studimi që përfshiu më shumë se 300,000 amerikanë me diabet dhe sëmundje kardiovaskulare aterosklerotike (ASCVD), më pak se 1 në 20 pacientë marrin për reduktimin e rrezikut kardiovaskular, terapi të bazuara në evidenca (evidence-based).
"Këto gjetje sugjerojnë se nevojiten ndërhyrje të shumta për të kapërcyer pengesat në zbatimin e terapive të bazuara në evidenca dhe për të lehtësuar përdorimin e tyre sa më të mirë", shkruajnë studiuesit në JAMA Network Open. Në veçanti, qëllimi i studimit ishte përcaktimi i përdorimit të 3 terapive parandaluese në një popullatë të prekur nga diabeti dhe ASCVD-ja. Terapitë e synuara ishin statina me intensitet të lartë, frenuesit e enzimës konvertuese të angiotenzinës (ACEI), ose bllokuesit e receptorit të angiotenzinës (ARB) dhe frenuesit e bashkëtransportuesit të glukozës së natriumit të tipit 2 (SGLT2I), ose agonistët e receptorit të peptidit-i, i ngjashëm me glukagonin (GLP-1RA).
Ne përdorëm të dhëna nga 324,706 pacientë me diabet të tipit 2 dhe ASCVD (sëmundje të arterieve koronare, sëmundje cerebrovaskulare, sëmundje të arterieve periferike), me moshë mesatare 68 vjeç, të cilët ishin pjesë e Rrjetit Kombëtar të Kërkimeve Klinike të Pacientëve, i cili përfshin 12 sisteme shëndetësore në SHBA. Në vitin paraardhës të studimit, 74,8% e pacientëve që kishin të dhëna për vizitat e specialistëve i ishin nënshtruar një vizite te mjeku kurues. Ata që ishin konsultuar me një endokrinolog, ose një kardiolog ishin shumë më pak (8,7% dhe 26,4%, respektivisht). U zbulua se 58.6% të personave iu ishte përshkruar një statinë. Një shifër, siç theksojnë autorët, më e ulët se ajo e publikuar së fundmi (74,6%) dhe e marrë nga një bazë të dhënash të pacientëve me sigurime private. Për më tepër, vetëm 26.8% kishin marrë një statinë me intensitet të lartë. 45.5% kishin marrë një recetë për ACEI ose ARB, 3.9% një GLP-1RA dhe 2.8% një SGLT2I. Të tria terapitë iu janë përshkruar vetëm 4.6% të pacientëve, ndërsa 42.6% nuk kanë marrë asnjë terapi.
Christopher B. Granger, nga Instituti i Kërkimeve Klinike Duke, nënshkruesi i fundit i studimit, foli për pengesat e mundshme për përdorimin e gjerë të terapive në fjalë te ky lloj pacienti. Këtu përfshihen kostot, mungesa e edukimit dhe ajo që autori e quan "inerci klinike", duke iu referuar kohës së kufizuar në dispozicion me pacientët. "Kjo është një thirrje për veprim", tha ai. "Duke i përshkruar qartë këto boshllëqe, shpresojmë që njerëzit ta shohin këtë si një mundësi të rëndësishme për të përmirësuar kujdesin shëndetësor jo vetëm në nivelin e ofruesve individualë, por, ç'është më e rëndësishmja, në nivelin e sistemeve shëndetësore."
JAMA Network Open 2022. Doi: 10.1001/jamanetworkopen.2021.4803
https://doi.org/10.1001/jamanetworkopen.2021.48030