Kardiologji

mar292019

Dëmtimi i zemrës nga infarkti. Identifikohet një bar potencialisht i dobishëm

Një bar i ri mund të jetë i disponueshëm në të ardhmen për trajtimin e dëmit kardiak të shkaktuar nga një atak në zemër, duke patur si objektiv mënyrën se si zemra reagon ndaj stresit. Një studim, i financuar nga Fondacioni Britanik për Zemrën (BHF), Këshilli i Kërkimeve Mjekësore dhe nga Domainex, i cili është botuar në revistën "Cell Stem Cell", ka bërë të mundur hartimin e një familjeje barnash të reja që mund të përdoren në këtë drejtim dhe, eksperimentimi klinik i të cilave mund të nisë që në fillim të viteve 2021-2022.

Barnat bllokojnë proteinën MAP4K4, e cila, siç dihet, luan rol qendror në mënyrën se si qelizat e muskulit kardiak vdesin, në formë përgjigjeje ndaj stresit të shkaktuar nga një infarkt. Shenjat e stresit rriten në mënyrë dramatike kur furnizimi me gjak dhe bashkë me të, edhe me oksigjen dhe ushqyes, rivendoset, duke rihapur arterien koronare të bllokuar që shkaktoi atakun në zemër (siç ndodh përmes angioplastikës).

Të dhënat tregojnë se MAP4K4 u aktivizua te minjtë pas një ataku në zemër. Kur bari u mor një orë pas kthimit të gjakut në zemër, duke imituar atë që mund të ndodhte në një kontekst klinik, dëmtimi kardiak u zvogëlua me 60%. Për më tepër, studiuesit studiuan efektin e barit në muskulin kardiak të krijuar me qelizat staminale njerëzore, një pikë vërtet e fortë e këtij studimi.

Rezultatet treguan se qelizat ishin të mbrojtura nga sinjalet e stresit, të shkaktuara nga një atak në zemër, i simuluar në laborator. "Aktualisht, nuk ka terapi që përballen drejtpërdrejt me problemin e vdekjes së qelizave të muskujve dhe ky do të ishte një revolucion në trajtimin e sulmeve të zemrës", thotë autori kryesor i studimit, Michael Schneider, i Qendrës BHF të Mjekësisë Rigjeneruese në Britaninë e Madhe. "Një nga arsyet pse shumë barna kanë dështuar në sprovat klinike mund të jetë se ato nuk janë testuar në qelizat njerëzore. Përdorimi i qelizave njerëzore dhe shtazore na jep mundësi të jemi më të sigurt për molekulat që krijojmë", vazhdon autori.

"Nevojiten më shumë kërkime për të perfeksionuar dhe për të testuar medikamentet që mund të targetojnë MAP4K4 para se t'u jepen njerëzve që kanë pasur një atak në zemër", përfundon Metin Avkiran, drejtor mjekësor i asociuar në BHF.


Cell Stem Cell 2019. doi: 10.1016/j.stem.2019.01.013
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30853557


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>