dhj62021
Te duhanpirësit, shenja e parë e sëmundjeve kardiovaskulare mund të jetë një iktus
Sipas një studimi të publikuar në Journal of the American Heart Association, vdekja nga infarkti apo iktusi, mund të jetë shenja e parë e sëmundjeve kardiovaskulare te duhanpirësit. "Dekada të tëra kërkimesh e lidhin duhanin me vdekjen e parakohshme për shkaqe kardiovaskulare, por shpesh ka më shumë ndërgjegjësim dhe shqetësim për kancerin sesa për sëmundjet kardiake", thotë Sadiya Kahn, kardiologe dhe profesoreshë e asociuar e mjekësisë në Shkollën e Mjekësisë Feinberg, Universiteti Veriperëndimor i Çikagos.
Së bashku me kolegët, ekspertja shqyrtoi të dhënat e nëntë studimeve kohorte afatgjata që përfshinin gjithsej 106,165 të rritur (50.4% femra, 16.2% të rritur afrikano-amerikanë, 50.1% duhanpirës) të grupmoshës 20-79 vjeç, të cilët në fillim të studimit ndjekës, midis 10 dhe 25 vitesh, nuk kishin sëmundje kardiovaskulare. Të gjithë pjesëmarrësit u klasifikuan sipas gjinisë, duhanpirjes (po ose jo, e vetëraportuar pas regjistrimit); moshës (të rinjtë: 20-39 vjeç; mosha mesatare: 40-59 vjeç dhe të moshuarit: 60-79 vjeç). Hapi tjetër ishte përllogaritja e numrit të viteve të jetuara me dhe pa sëmundje kardiovaskulare, bazuar në përdorimin ose jo të cigareve, duke analizuar lidhjen midis duhanpirjes dhe ngjarjeve kardiovaskulare dhe duke marrë parasysh vdekjet nga sëmundje të tjera, siç është kanceri i mushkërive. Rezultatet? Duhanpirësit e moshës së mesme kishin pothuajse dy herë më shumë gjasa se jo duhanpirësit për të pasur një ngjarje kardiovaskulare fatale si shenja e parë e sëmundjeve kardiovaskulare, ndërsa duhanpirësit meshkuj të moshës së mesme kishin rreth 1.5 herë më shumë gjasa të kishin një ngjarje fatale kardiovaskulare sesa bashkëmoshatarët që nuk pinin duhan.
Por, jo vetëm kaq: rreziku afatgjatë për sëmundje kardiovaskulare ishte rreth 10% më i lartë te duhanpirësit e të dyja gjinive sesa te jo duhanpirësit. "Është e habitshme që në të gjitha grupmoshat, shumica e ngjarjeve të hershme të sëmundjeve kardiovaskulare ishin sulme kardiake fatale, ose jo", shkruajnë autorët, duke vënë në dukje se iktuset fatale dhe jo fatale ishin shkaqet kryesore të radhës për ngjarjen e parë të sëmundjeve kardiovaskulare te më të rinjtë, ndërsa insuficienca kardiake ishte shkaku i dytë kryesor midis grupeve të moshës së mesme dhe më të moshuarve. "Këto të dhëna tregojnë edhe një herë rëndësinë e ndërprerjes së duhanit: lënia e duhanit është një sfidë kërkuese dhe është e rëndësishme të kontaktoni mjekun tuaj ose profesionistë të tjerë shëndetësorë për mbështetje: sa më shpejt, aq më mirë", përfundon Khani.
JAHA 2021. Doi: 10.1161/JAHA.121.021751
http://doi.org/10.1161/JAHA.121.021751