Kardiologji

jan72020

Cila është lidhja mes vëllimit të masës muskulare dhe rrezikut kardiovaskular

Duket se masa muskulare te njerëzit në mesomoshë, është e lidhur me rrezikun për sëmundje kardiovaskulare në të ardhmen. "Parandalimi i rënies së masës muskulare skeletore (MMS), që po bëhet gjithnjë e më mbizotëruese në popullsinë e moshës së mesme dhe tek ajo më e moshuar, mund të përbëjë një mjet efikas për të favorizuar shëndetin kardiovaskular", ka thënë Stefanos Tyrovolas (Universiteti Harokopio në Greqi), autor i një studimi të publikuar në "Journal of Epidemiology & Community Health".

Ndryshimet e masës muskulare skeletore, e cila reduktohet me kalimin e moshës, edhe duke nisur nga mosha 30-vjeçare, kanë qenë të lidhura me paaftësi të ndryshme, sëmundje mendore, sëmundje kardiovaskulare dhe vdekshmëri. Por, studimet mbi ndikimin që ka masa muskulare skeletore në rrezikun kardiovaskular, janë zhvilluar mbi individët e prekur tashmë nga sëmundje të tilla.
Qëllimi i Tyrovolasit dhe kolegëve të tij ka qenë të gjenin lidhjen që qëndron mes MMS-së dhe rrezikut për sëmundje kardiovaskulare te njerëzit e shëndetshëm, në mesomoshë. Me këtë qëllim, janë përfshirë 1.019 pjesëmarrës në studimin ATTICA. Ata ishin të paktën 45 vjeç në vitin 2001-2002 dhe pa sëmundje kardiovaskulare në fillim të studimit. Në 10 vjet janë verifikuar 272 raste të sëmundjeve kardiovaskulare fatale ose jo. Burrat kanë shfaqur një rrezik më të lartë për incidente kardiovaskulare, krahasuar me gratë.
Incidenca më e vogël për sëmundje kardiovaskulare është vënë re te pjesëmarrësit me tregues MMS më të lartë në fillim të periudhës së monitorimit. Gjithashtu, prevalenca e hipertensionit, diabetit dhe obezitetit ka rezultuar më e ulët mes individëve me vëllim më të lartë muskular, që ishin më të rinj, mbi të gjitha burra, duhanpirës, të arsimuar, me nivel të lartë socioekonomik, praktikonin më shumë aktivitet fizik dhe ndiqnin dietë mesdhetare.

Rezultatet e analizave tregojnë se nivelet e MMS-së në bazë janë të lidhura me një rrezik më të vogël kardiovaskular, pavarësisht nga dieta, të ardhurat familjare dhe niveli i arsimimit, si dhe nga faktorë të njohur të rrezikut, mes të cilëve, diabeti. Kjo ama, vetëm mes burrave. Siç sugjerojnë autorët, pabarazia e vënë re mes gjinive, mund të shpjegohet me vëllimin më të madh muskular të burrave në fillim të studimit ose nga dallime hormonale në proceset e plakjes.
"Zbulimet e këtij studimi mbështetin rëndësinë e vlerësimit të masës muskulare skeletore në parashikimin e rrezikut kardiovaskular afatgjatë, mes të rriturve në moshë të mesme apo më të moshuar, pa sëmundje kardiovaskulare ekzistuese", konfirmojnë studiuesit.


J Epidemiol Community Health. 2019. doi: 10.1136/jech-2019-212268.
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31712252


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>