Kardiologji

qer82020

Iktusi, më i rëndë te pacientët Covid-19, por pak prej tyre shkojnë në spital

Pesë studime të publikuara në "Stroke", kanë analizuar situatën e pacientëve me iktus gjatë pandemisë. Në një studim të udhëhequr nga Shadi Yaghi (Shkolla e Mjekësisë Universitare në Nju Jork), studiuesit krahasuan karakteristikat klinike të pacientëve me iktus, që kishin gjithashtu Covid-19, me ato të dy grupeve të pacientëve me iktus, por pa infeksion viral, të shtruar në spital gjatë viteve të kaluara. Gjatë periudhës së studimit, nga 3.556 pacientë të shtruar në spital me Covid-19 të rëndë, 32 kishin patur një iktus ishemik. Iktusi kriptogjenik ka rezultuar më i zakonshëm te pacientët Covid-19, të cilët kishin tendencë të ishin më të rinj dhe në gjendje më të rëndë sesa kontrollet. Shkalla e vdekshmërisë mes pacientëve me iktus, të infektuar me coronavirus, ishte shumë e lartë në krahasim me kontrollet (63.6% përkundër 9.3%). Ekspertët zbuluan gjithashtu se më pak pacientë me iktus u shtruan në spital gjatë periudhës së studimit sesa në të njëjtën periudhë në vitin 2019, sepse pacientët me iktus dhe simptoma të buta ka të ngjarë të kenë qëndruar në shtëpi.

Më pak raste iktusesh në spital u raportuan gjithashtu në një studim kinez të kryer në 227 spitale dhe drejtuar nga Jing Zhao (Universiteti Fudan, Shanghai). Në studim është vënë re një rënie afërsisht 25% e numrit të trombolizave dhe trombektomive në shkurt 2020, në krahasim me shkurtin e vitit 2019.
Një studim i kryer në Barcelonë, me autor kryesor Salvatore Rudilosso (Universiteti i Barcelonës), zbuloi se pandemia reduktoi me një të katërtën numrin e shtrimeve në spital për iktus e trombektomi në një qendër të specializuar, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjithashtu, në një studim të kryer në Hong Kong, studiuesit, të udhëhequr nga Kay-Cheong Teo (Universiteti i Hong Kongut) zbuluan se pacientët me iktus kanë kërkuar trajtim më pak dhe më vonë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Studimi i pestë, nga Franca, tregoi një ulje të konsiderueshme të trombektomive dhe një rritje të vonesave në kryerjen e tyre gjatë krizës aktuale. Basile Kerleroux (Qendra Spitalore Sainte-Anne, Paris) dhe ekipi i tij krahasuan trombektomitë e kryera gjatë një periudhe pandemie 45-ditore me ato të kryera në të njëjtën periudhë kalendarike në vitin 2019. Në studim u përfshi një numër i përgjithshëm prej 1,513 pacientësh (në 32 qendra) dhe rezultatet treguan një ulje prej 21% të trombektomive gjatë periudhës së pandemisë.


Stroke 2020. Doi: 10.1161/STROKEAHA.120.030335
https://doi.org/10.1161/STROKEAHA.120.030335

Stroke 2020. Doi: 10.1161/STROKEAHA.120.030225
https://doi.org/10.1161/STROKEAHA.120.030225

Stroke 2020. Doi: 10.1161/STROKEAHA.120.030329
https://doi.org/10.1161/STROKEAHA.120.030329

Stroke 2020. Doi: 10.1161/STROKEAHA.120.030105
https://doi.org/10.1161/STROKEAHA.120.030105

Stroke 2020. Doi: 10.1161/STROKEAHA.120.030373
https://doi.org/10.1161/STROKEAHA.120.030373


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>