gus62020
Kuercetina mbron shëndetin e zemrës dhe të trurit. Ja, ku gjendet
Një përbërës i pranishëm te kapra (capparis spinosa) turshi, jo vetëm që është në gjendje të aktivizojë proteinat e përfshira në aktivitetin normal të trurit dhe zemrës, por edhe mund të shërbejë për trajtimin e epilepsisë dhe aritmive kardiake, sipas një grupi studiuesish nga Universiteti i Kalifornisë. "Kompleksi, i cili quhet kuercetinë, ka një efekt rregullues të aktiviteteve të tilla si: rrahjet e zemrës, proceset konjitive, kontraktimet e muskujve dhe funksionimi i tiroides, pankreasit dhe traktit gastrointestinal", shpjegon Geoffrey Abbott, profesor në Departamentin e Fiziologjisë dhe Biofizikës në Irvine, si dhe koordinator i studimit të botuar në "Communications Biology".
Autorët zbuluan se kuercetina, një bioflavonoid bimor, është në gjendje të modulojë kanalet jonike të kaliumit të familjes së gjenit Kcnq, mosfunksionimi i të cilit është i lidhur me sëmundje të ndryshme, përfshirë diabetin, aritmitë kardiake dhe epilepsinë. "Kuercetina rregullon kanalet Kcnq dhe ky aspekt terapeutik i kaprës, mund të shtrihet në ushqime të tjera të pasura me këtë përbërës dhe në integratorët që e përmbajnë atë", shkruajnë studiuesit, duke nënvizuar se tani që është kuptuar se si kuercetina kontrollon kanalet Kcnq, janë të nevojshme studime të mëtejshme për të zhvilluar molekula që lidhen me kuercetinën, për t'u përdorur si barna. Në studimin e tyre, Abbott dhe kolegët ekzaminuan ekstrakte bimore në lidhje me aftësinë e tyre për të ndryshuar aktivitetin e kanaleve Kcnq, duke vërejtur se ekstrakti i kaprës turshi 1% ishte në gjendje të aktivizonte kanalet Kcnq dhe njohuri të mëtejshme zbuluan mekanizmin molekular: Kuercetina lidhet me një zonë të kanalit Kcnq i cili nga ana e tij modulon aktivitetin elektrik qelizor duke shkaktuar hapjen e kanalit, nga një gjendje normalisht e mbyllur. "Rritja e aktivitetit të kanaleve Kcnq është potencialisht e dobishme dhe barnat me këtë mekanizëm veprimi, jo vetëm që mund të trajtojnë epilepsinë, por mund të jenë premtuese edhe në parandalimin e aritmive kardiake", përfundon Abbotti.
Communications Biology 2020; Doi: 10.1038/s42003-020-1089-8
https://doi.org/10.1038/s42003-020-1089-8