shk12021
Sëmundjet kardiake të rralla. Në studim, një terapi e re me qeliza staminale
Në një studim të Fazës I, të sapobotuar në "Science Translational Medicine", studiuesit nga Universiteti i Okajamës vlerësuan përdorimin e mundshëm të qelizave staminale kardiake si një terapi rigjeneruese te pacientët e rinj me kardiomiopati dilatuese (DCM), duke konfirmuar sigurinë dhe efikasitetin e trajtimit dhe mekanizmin me të cilin qelizat staminale përmirësuan funksionin kardiak.
"Bazuar në këto rezultate paraprake, ne shpresojmë të vazhdojmë me studime më të mëdha klinike që çojnë në miratimin e terapisë në të ardhmen", thotë koordinatori i studimit Hidemasa Oh, i Departamentit të Mjekësisë Kardiovaskulare në Universitetin e Okajamës, i cili së bashku me kolegët, përfshiu pesë pacientë të rinj me DCM, që i trajtoi me të ashtuquajturat qeliza që rrjedhin nga kardiosfera (CDC), një lloj qelizash staminale kardiake që dihet se kanë efekte të dobishme te të rriturit e prekur nga sëmundjet kardiake.
"Duke diferencuar në indet kardiake, CDC-të mund të kthejnë mbrapsht dëmtimin e miokardit te të rriturit, por dihet pak për sigurinë e tyre dhe përfitimet terapeutike te fëmijët", shkruajnë autorët, të cilët një vit pas inokulimit të CDC-ve, nuk kanë vërejtur efekte anësore serioze, por vetëm shenja përmirësimi. Studiuesit kanë zbuluar gjithashtu mekanizmin me të cilin CDC-të përmirësojnë funksionin e zemrës. Qelizat e transplantuara sekretojnë fshikëza të vogla, ekzozomet, që përmbajnë mikroRNA të afta të nisin një kaskadë ndërveprimesh molekulare, nga njëra anë duke parandaluar dëmtimin e mëtejshëm të indit të zemrës dhe nga ana tjetër, duke nxitur diferencimin e qelizave staminale në kardiomiocitet plotësisht funksionuese.
"Sidoqoftë, nevojitet kujdes: për shkak të numrit të vogël të rasteve të studiuara, nuk është e mundur të arrihet në konkluzione përfundimtare. Sidoqoftë, trajtimi me CDC, duket mjaft i sigurt dhe efektiv për të kaluar në studime më të mëdha klinike", shpjegon Oh. "Hapi tjetër është të vazhdohet me një studim me përzgjedhje rastësore, të fazës II, me qëllim, marrjen e miratimit për këtë terapi në Japoni".
Sci Translat Med 2021. Doi: 10.1126/scitranslmed.abb3336
http://doi.org/10.1126/scitranslmed.abb3336