pri262021
Arteriopatia obliterante. Duhen marrë parasysh faktorët e rinj të rrezikut. Ja, se cilët
Një përmbledhje e literaturës e botuar në "International Journal of Molecular Sciences", përpiqet të sqarojë disa faktorë të rinj rreziku, pak të dukshëm, por shumë të rëndësishëm në përshpejtimin e zhvillimit të arteriopatisë obliterante dhe për kohëzgjatjen e trajtimeve të rivaskularizimit. "Trajtimi i arteriopatisë obliterante (PAD) synon të rikthejë rrjedhën e mjaftueshme të gjakut në të gjitha zonat e këmbëve dhe kjo arrihet me barna, procedura të rivaskularizimit endovaskular (angioplastikë) ose operacion (by-pass). Por, "terapia" e parë që u duhet këshilluar gjithmonë këtyre pacientëve është të ecin rregullisht, duke mbetur gjithmonë nën pragun e dhimbjes, domethënë, me një ritëm që shmang fillimin e saj", shpjegon Andrea Flex, nga Spitali Universitar Agostino Gemelli Irccs dhe Universiteti Katolik Sacro Cuore në Romë, autor i studimit.
Studiuesit theksojnë se procedurat e rivaskularizimit endovaskular kanë efekte të dobishme që janë shumë të ndryshueshme sipas pacientit, madje edhe me të njëjtët faktorë rreziku dhe duke i mbajtur nën kontroll ata. Për këtë arsye, ekspertët kanë filluar të mendojnë për një rol të mundshëm të disa faktorëve që nuk janë marrë në konsideratë kurrë më parë dhe për më tepër, të fshehur. Pra, është e vërtetë që arteriet kanë tendencë të mbyllen shpejt pas angioplastikës për shkak të prirjes për inflamacion të disa pacientëve, të cilët prodhojnë shumë citokina, por nuk duhet të harrojmë se indi dhjamor luan gjithashtu një rol në arterosklerozë, si në kuptimin mbrojtës, ashtu edhe në atë negativ.
Te njerëzit që kanë shumë omentinë, një hormon i prodhuar nga yndyra, në fakt, ekziston një lloj mbrojtjeje nga arteroskleroza, ndërsa ata që kanë shumë sortilin, një proteinë e përfshirë në metabolizmin e yndyrave, ekziston një rrezik më i madh për PAD, edhe sepse kjo proteinë ndërhyn në metabolizmin e LDL-së.
"Për këtë arsye, në të ardhmen e afërt, përveç vlerësimit të faktorëve tradicionalë të rrezikut për arterosklerozën, siç janë diabeti, kolesteroli, hipertensioni, pirja e duhanit, do të duhet t'i profilizojmë pacientët në bazë të këtyre bioshënjuesve të tjerë që po shfaqen dita-ditës, nga një perspektivë gjithnjë e më e personalizuar mjekësore. Në subjektet me një profil "të pasur" inflamator, ndërsa presim të gjejmë një terapi të synuar për këtë gjendje, do të inikohet një ndjekje më e afërt dhe do të duhet të zbatojmë strategji më agresive terapeutike", përfundon Flex-i.
Int J Molecular Sciences 2021. Doi: 10.3390/ijms22042002
https://doi.org/10.3390/ijms22042002