Kardiologji

maj32021

Higjiena e mirë orale parandalon infeksionet kardiake. Udhëzimet mbi përdorimin e antibiotikëve

Sipas Shoqatës Amerikane të Zemrës (AHA), për të parandaluar një endokardit infektiv nga streptokoku i grupit Viridans (VGS) është më e rëndësishme një higjienë e mirë orale dhe trajtimi i rregullt i dhëmbëve, sesa marrja e antibiotikëve, në rast se është i nevojshëm nënshtrimi ndaj një procedure dentistrie. Përdorimi parandalues i antibiotikëve, nga ana tjetër, duhet rekomanduar për disa procedura invazive për kategoritë e pacientëve kardiopatikë, me rrezik të lartë. Kështu thuhet në Scientific Statement, publikuar në "Circulation".

Në veçanti, grupi rishikoi të dhënat në dispozicion nga udhëzimet e vitit 2007, në të cilat përshkrimi parandalues i antibiotikëve për të shmangur rrezikun e endokarditit VGS, të shkaktuar nga bakteret që mblidhen në pllakë në sipërfaqen e dhëmbëve dhe shkaktojnë inflamacion dhe ënjtje të mishrave të dhëmbëve, rekomandohej në rast të disa procedurave dentare vetëm për 4 kategori të pacientëve kardiopatikë, për shkak të rrezikut të lartë të komplikacioneve. Këta ishin njerëz me proteza valvulare kardiake ose materiale protezike të përdorura për riparimin e valvulave, me një rast të mëparshëm të endokarditit infektiv, me një transplant të zemrës, ose të rritur dhe fëmijë me kardiopati kongjenitale. Kufizimi i përdorimit të antibiotikëve vetëm në këto kategori ka bërë që të reduktohet me 90% përqindja e pacientëve që kanë patur nevojë për ta.
Rishikimi i AHA-s zbuloi respektimin e ndryshëm të udhëzimeve dhe një reduktim të përshkrimit parandalues të antibiotikëve me 20%, 64% dhe 52% përkatësisht, te pacientët me rrezik të lartë, të moderuar dhe të ulët ose të panjohur. Për më tepër, vihet re se 70% e 5,500 dentistëve të anketuar në një sondazh në SHBA thanë se i përshkruajnë antibiotikët edhe kur nuk rekomandohen, veçanërisht për pacientët me prolaps të valvulës mitrale dhe 5 sëmundje të tjera kardiake. Në çdo rast, ekspertët specifikojnë se, që nga paraqitja e udhëzimeve, ata nuk kanë vërejtur një shtim në rastet e endokarditit VGS, ose një shtim të vdekshmërisë së shkaktuar nga kjo gjendje.

Kështu, rikonfirmohen rekomandimet për të kufizuar përdorimin parandalues të antibiotikëve në kategori me rrezik të lartë gjatë procedurave të caktuara dentare. "Endokarditi VGS ka më shumë gjasa të zhvillohet nga bakteremia VGS për shkak të aktiviteteve rutinë të përditshme të tilla si përtypja e ushqimit dhe larja e dhëmbëve, sesa nga procedurat dentare", shkruajnë autorët. "Ruajtja e higjienës së mirë të gojës dhe qasja e rregullt ndaj trajtimit dentar konsiderohen po aq të rëndësishme në parandalimin e endokarditit VGS sesa marrja e antibiotikëve para disa procedurave dentare", vazhdojnë ata.

 

Circulation. 2021. Doi: 10.1161/CIR.0000000000000969
https://doi.org/10.1161/CIR.0000000000000969


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>