kor262021
Vaksina Astrazeneca dhe mpiksja e gjakut. Ja, simptomat e hershme që duhen njohur, për një trajtim efektiv
Sipas një studimi të ri të botuar në British Journal of Hematology, kryerja e testeve të hershme për të zbuluar mpiksjen e gjakut në pacientët që kanë marrë vaksinën Astrazeneca/Oxford ka patur si rezultat trajtimin e suksesshëm të problemit. "Gjithë kjo thekson nevojën për ndërgjegjësim më të madh midis mjekëve, mbi rrezikun", shpjegon Michelle Lavin (Qendra Irlandeze për Biologjinë Vaskulare dhe Shkolla e Farmacisë e Shkencës Biomolekulare, RCSI), autore kryesore e punimit.
Mpiksjet e gjakut të shoqëruara me vlera të ulëta të trombociteve njihen si një ndërlikim shumë i rrallë i vaksinës Astrazeneca. Sidoqoftë, pacientët mund të mos kenë të gjitha simptomat tipike deri në momentin që vijnë për herë të parë në shërbimet mjekësore duke u ankuar për ndonjë problem shëndetësor pas vaksinës. Studiuesit morën në konsideratë katër pacientë me trombocitopeni trombotike të shkaktuar nga vaksina (VITT). Bazuar në udhëzimet aktuale, secili pacient mund të ishte klasifikuar me pak gjasa për të zhvilluar këtë sindromë kur vinte për konsultë te mjekët, por për shkak të rritjes së vetëdijes dhe vigjilencës klinike nga ana e ekipeve të përfshira, të gjithë u referuan për hetime paraprake, u diagnostikuan dhe u trajtuan me sukses.
"Rreziku i zhvillimit të një mpiksjeje gjaku pas vaksinës është sidoqoftë shumë më i ulët se rreziku i zhvillimit të mpiksjes nëse infektoheni me COVID-19, por është e domosdoshme që mjekët të jenë vigjilentë për zbulimin e simptomave midis pacientëve të vaksinuar", thotë Lavini.
Ekspertët theksojnë se studimi i tyre zbuloi se udhëzimet aktuale nuk kanë ndjeshmërinë e nevojshme për të zbuluar herët rastet e koagulimit të shkaktuar nga vaksina dhe kjo mund të çojë në diagnostikim të gabuar ose vonesa. "Ndërkohë që nisim të kuptojmë se si zhvillohet kjo patologji e re, shtimi i vetëdijes sonë klinike mund të përmirësojë rezultatet për pacientët përmes testimeve dhe trajtimeve të hershme", përfundojnë autorët.
British Journal of Haematology 2021. Doi: 10.1111/bjh.17613
https://doi.org/10.1111/bjh.17613