shk92022
Publikohet udhëzuesi i ri mbi diagnostikimin dhe trajtimin e diseksionit të aortës të tipit B
The Annals of Thoracic Surgery dhe The Journal of Thoracic and Cardiovascular Surgery kanë publikuar njëkohësisht një udhëzues të ri të hartuar në bashkëpunim, nga ekspertët e Shoqatës së Kirurgëve Torakalë (STS) dhe Shoqatës Amerikane për Kirurgjinë Torakale (AATS) që përfshin rekomandime të rëndësishme për menaxhimin e pacientëve me diseksion të aortës, të tipit B (TBAD).
Diseksioni i aortës, një gjendje e rëndë dhe madje fatale nëse nuk trajtohet në kohë, ndodh kur gjaku hyn në murin arterial midis shtresave të mesme dhe të jashtme, duke i ndarë ato. Në një diseksion të tipit B, lezioni e ka origjinën në pjesën zbritëse të aortës torakale dhe mund të shtrihet në abdomen.
"Dokumenti përmban rekomandime që përfshijnë një qasje hap pas hapi për vlerësimin dhe trajtimin e pacientëve me TBAD të thjeshtë, që nuk është menjëherë kërcënuese për jetën, e ndjekur nga mbikëqyrja e ngushtë klinike", thotë bashkautori Chad Hughes i Qendrës Mjekësore të Universitetit Duke në Durham, Karolina e Veriut, duke shpjeguar se ky udhëzues synon t'u sigurojë kirurgëve një përmbledhje gjithëpërfshirëse dhe të përditësuar të trajtimit të artë mbi këtë temë, duke shërbyer gjithashtu si referencë për opsionet e ndryshme të trajtimit në skenarë të caktuar. Terapia mjekësore agresive është konsideruar gjithmonë si hapi i parë në TBAD-në e thjeshtë, ndërsa kirurgjia e hapur duhet rezervuar për rastet kërcënuese për jetën. "Vitet e fundit, megjithatë, teknologjia dhe teknikat e trajtimit për diseksionin e aortës së tipit B, kanë evoluar me shpejtësi, veçanërisht në lidhje me opsionet më pak invazive të trajtimit", shkruajnë autorët.
Dhe Hughes, përfundon: "Ne presim që ky udhëzues të përmirësojë cilësinë e kujdesit për pacientët me TBAD, duke u ofruar kirurgëve një përmbledhje të përditësuar se kur, si dhe cilat terapi të përdorin në mënyrë efektive, qofshin ato kirurgji të hapura, terapi endovaskulare apo kombinimi i të dyjave".
Annals of Thoracic Surgery 2022. Doi: 10.1016/j.athoracsur.2021.11.002
http://doi.org/10.1016/j.athoracsur.2021.11.002