Kardiologji

qer12023

Ku qëndron lidhja mes infarktit të miokardit dhe rënies konjitive

Infarkti i miokardit nuk shoqërohet me rënie të aftësisë konjitive në nivel global, kujtesës ose funksionit ekzekutiv në momentin e ngjarjes, por në një periudhë më afatgjatë, sipas një studimi të botuar në JAMA Neurology.

"Shkalla e ndryshimit konjitiv pas infarktit të miokardit ishte e paqartë. Prandaj, ne u munduam të vlerësonim nëse ekziston një lidhje mes infarktit dhe ndryshimeve në funksionin konjitiv", tha autorja kryesore e studimit Michelle Johansen nga Universiteti Johns Hopkins në Baltimore, SHBA.

Studiuesit studiuan të rriturit pa infarkt, demencë ose iktus, të cilët kishin marrë pjesë në studimet grupore të bazuara në popullsi në SHBA, të kryera nga viti 1971 deri në vitin 2019. Rezultati primar ishte ndryshimi i aftësisë konjitive në nivel global, ndërsa rezultatet sekondare ishin ndryshimet në kujtesë dhe në funksion ekzekutiv.

Studimi përfshiu 30,465 të rritur, nga të cilët 1,033 kishin pësuar një ose më shumë ngjarje të infarktit të miokardit. Koha mesatare e ndjekjes ishte 6.4 vjet. Në përgjithësi, incidenca e infarktit të miokardit nuk u shoqërua me rënie të aftësisë konjitive në nivel global, funksionit ekzekutiv ose kujtesës. Megjithatë, individët që kishin pësuar një infarkt krahasuar me ata që nuk e kishin pësuar përjetuan një rënie më të shpejtë të aftësisë konjitive në nivel global, kujtesës dhe funksionit ekzekutiv me kalimin e viteve.

Analiza e ndërveprimit sugjeroi se etnia dhe gjinia ndikuan në modifikimin e shkallës së ndryshimit në rënien e aftësisë konjitive në nivel global pas infarktit, ndryshim i cili ishte më i pakët disa vite pas ngjarjes te zezakët krahasuar me njerëzit me lëkurë të bardhë dhe te gratë krahasuar me burrat.

"Këto gjetje sugjerojnë se parandalimi i infarktit është i rëndësishëm për shëndetin afatgjatë të trurit", përfundojnë autorët.

Në një editorial të lidhur, Eric Smith nga Universiteti i Calgaryt në Kanada dhe Lisa Silbert nga Universiteti i Shëndetit dhe Shkencës së Oregonit në Portland, SHBA, theksojnë se edhe pse mekanizmi i rënies konjitive pas infarktit është ende i paqartë, rreziku duket të jetë real. "Mjekët duhet të jenë të vetëdijshëm se pacientët me një histori infakti mund të janë më rrezikuar për të pësuar rënie konjitive. Këta pacientë duhet të pyeten periodikisht për simptomat konjitive, të referohen drejt një specialisti konjitiv ose në raste të caktuara edhe drejt një neuropsikologu", përfundojnë redaktorët.

 

JAMA Neurology 2023. Doi: 10.1001/jamaneurol.2023.1331
http://doi.org/10.1001/jamaneurol.2023.1331

JAMA Neurology 2023. Doi:10.1001/jamaneurol.2023.0466
http://doi.org/10.1001/jamaneurol.2023.0466


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>