sht12023
Edhe kur konsumohet në sasi të moderuar, alkooli mund të rrisë presionin e gjakut
Njerëzit që konsumojnë alkool çdo ditë, me kalimin e kohës mund të përjetojnë rritje të presionit të gjakut, edhe në mungesë të hipertensionit, sipas një studimi të publikuar në "Hypertension".
Sipas bashkautorit Marco Vinceti nga Shkolla e Shëndetit Publik në Universitetin e Bostonit, gjatë punës së tyre studiuesit nuk gjetën efekte të dobishme te të rriturit që konsumonin sasi të vogla alkooli në krahasim me ata që nuk e konsumonin fare. "Ne u befasuam kur pamë se konsumimi i alkoolit edhe në sasi të vogël shoqërohet me rritje të presionit të gjakut krahasuar me atë të vërejtur tek ata që nuk e konsumojnë fare, rritje e cila ishte shumë më e ulët se ato që janë vënë re te ata që janë konsumatorë të rregullt", shton studiuesi.
Për ta thënë ndryshe, ata që zakonisht konsumojnë qoftë edhe vetëm një pije alkoolike në ditë kanë probabilitet më të madh për të pasur vlera më të larta të presionit të gjakut krahasuar me ata që nuk e konsumojnë fare. Për të arritur këto përfundime, autorët krahasuan të rriturit që konsumonin alkool çdo ditë me ata që nuk e konsumonin, duke analizuar të dhënat e shtatë studimeve ndërkombëtare të kryera në Kore, Japoni dhe Shtetet e Bashkuara për një total prej 19,548 subjektesh të moshës 20-70 vjeç, 65% e të cilëve ishin burra. Para fillimit të studimit, studiuesit verifikuan sasinë mesatare të alkoolit të konsumuar nga pjesëmarrësit duke e përkthyer atë në gram alkool të konsumuar në ditë dhe zbuluan në fund të analizës se njerëzit që pinin rreth 12 gram alkool në ditë kishin një rritje të presionit sistolik dhe diastolik të gjakut përkatësisht 1.25 dhe 1.14 mm Hg. Por, jo vetëm kaq, te subjektet që konsumonin rreth 48 gram alkool në ditë rritja e presionit sistolik dhe diastolik të gjakut ishte përkatësisht 4,9 dhe 3,1 mm Hg. Rritje të cilat u vunë re vetëm te burrat.
"Edhe pse alkooli nuk është shkaktari i vetëm i rritjes së presionit të gjakut, rezultatet tona tregojnë se ai ndikon në mënyrë të konsiderueshme. Për këtë arsye, është e rëndësishme të kufizohet konsumimi i tij ose akoma më mirë, të shmanget fare", përfundon Vinceti.
Hypertension 2023. Doi: 10.1161/HYPERTENSIONAHA.123.21224
http://doi.org/10.1161/HYPERTENSIONAHA.123.21224