nën122014
Java e Ndërgjegjësimit për Diabetin. Moto e këtij viti: Mbroni të ardhmen tonë
Në 14 Nëntor në ditën botërore të diabetit, të gjitha komunitetet mjekësore dhe shoqatat e diabetit bashkohen në një zë të fuqishëm për të parandaluar diabetin, këtë "pandemi"të re globale.
14 Nëntori,si dita botërore e diabetit është vendosur për nder të ditëlindjes së Frederik Banting i cili sëbashku me Charles Best ,dy shkencëtarë kanadezë, arritën të izolojnë nga pankreasi i qenit Insulinën e cila ndryshoi dhe shpëtoi jetën e diabetikëve në mbarë botën. Por sa i rëndësishëm është sensibilizimi për këtë sëmundje? Mjeku Endokrinolog, Prof. Assoc. Florian Toti pohon: "Parandalimi i diabetit, krijimi i zakoneve të shëndetshme të jetesës e ushqimit, që në moshë të re, është edhe një nga detyrat kryesore të personelit mjekësor në punën tonë të përditshme. Të gjithë ne duhet të përpiqemi më shumë për të krijuar një mjedis të përshtatshëm ku të jetë i mundur të kryhet më shumë aktivitet fizik, të kemi një ambient më të pastër dhe një mënyrë të ushqyeri më të shëndetshme. Personelit mjekësor por edhe personave me diabet iu del si detyrë që të jenë ata të parët që të nxisin të afërmit, të njohurit, studentët që të bëhen pjesë e një procesi gjithëpërfshirës, në mënyrë që të parandalohet diabeti. Por kjo mund të arrihet vetëm nga një popullatë e edukuar, një fushatë e vazhdueshme sensibilizimi, nga një vëmendje e vazhdueshme e Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit të Shëndetit Publik dhe e mjekëve endokrinologë, duke e bërë parandalimin e diabetit një pjesë të rëndësishme të strategjisë kombëtare për një popullatë të shëndetshme".
Si konsiderohet trendi i kësaj sëmundjeje sot krahasuar me 20 apo 30 vite më parë? Si është situata në Shqipëri?
Diabeti sot në Shqipëri është më i shpeshtë se 30, 20 apo edhe dhjetë vjet më parë. Numri i perosnave të diagnostikuar e ka kaluar shifrën e 68000 por ende ka shumë raste që nuk janë zbuluar ende. Diabeti sot në Shqipëri shkakton çdo vit mbi 800 vdekje, më tepër se aksidentet automobilistike, apo edhe disa forma kanceri të marra së bashku. Çdo vit "armatës" së personave me diabet i shtohen 2-3 mije raste të reja. Nga fondet vjetore të ISKSH, Diabeti zë afërsisht 10% të konsumit vjetor. Barnat antidiabetike të përfshira në listën e rimbursimit janë rritur nga 6% në vitin 2000 në 16% në vitin 2008 dhe vetëm insulinat e përfshirë në listën e rimbursimit janë rritur nga 4% në vitin 2000 në 12 % në vitin 2008 dhe 16% ne vitin 2013.
"Ushqyerja e shëndetshme dhe Diabeti. Mbroni të ardhmen tonë" është tema e Ditës Botërore të Diabetit për këtë vit. Si duhet ta kuptojmë këtë mesazh?
Ngrёnia e njё mёngjesi tё shёndetshem, ul rrezikun e zhvillimit tё diabetit tip 2. Njё dietё e shёndetshme, qё pёrmban zarzavate jeshile, fruta tё freskёta, drithёra, mish pa dhjamë, peshk dhe arra, mund tё ndihmojё pёr tё reduktuar rrezikun e njё personi pёr diabet tip 2 dhe pёr tё parandaluar komplikacionet nё personat me diabet. Mosngrёnia e mёngjesit shoqёrohet me shtim nё peshё, njё nga faktorёt kryesorё tё rrezikut pёr diabet tip2. Mbi-pesha dhe obeziteti janё pёrgjegjёse pёr mbi 80 % tё rasteve tё reja me diabet tip 2. Ngrёnia e tё paktёn tre porcioneve tё zarzavateve cdo ditё, duke pёrfshire zarzavatet jeshile si spinaqi, sallata ose lakra jeshile. Ngrёnia e mё shumё se tre porcioneve tё frutave tё fresketa, çdo ditё. Dhe së fundi "Të parandalosh kushton më pak se të mjekosh". Prandaj parandalimi fillon me mënyrën e shëndetshme të jetesës që e shprehur thejshtë është: "Lëviz më shumë dhe ushqehu pak edhe shpesh.