maj112015
Shumë kohë para televizorit rrit rrezikun për diabet
Një jetë shumë sedentare , duke përfshirë shumë orë para televizorit ose të punohet ulur para kompjuterit, ka rrezik më të lartë për të zhvilluar diabetin. Këtë e thotë një studim i zhvilluar në SHBA i cili është publikuar tek "Diabetologia": çdo orë e kaluar para televizorit e shton me 3.4% rrezikun për të zhvilluar diabet. Studimi ka përfshirë 3.232 subjekte me një moshë mesatare prej 25 vjeç të cilët ishin mbipeshë me qëllim që të vlerësohej efikasiteti i "Diabetes prevention program" (DPP) i cili ka për qëllim të shtojë ritmet e aktivitetit fizik në kohën e lirë. Subjektet që kanë marrë pjesë në studim janë ndarë në tre grupe: Grupi i parë ka marrë udhëzime për të ndryshuar stilin e jetës, si regjim ushqimor i kontrolluar me qëllim rënien në peshë në masën 7% dhe të paktën 150 minuta aktivitet fizik në javë, grupi i dytë është trajtuar me metforminë ndërsa i treti me placeb. Janë mbajtur shënime si për aktivitetin fizik, periudhën sedentare duke përfshirë në pyetësor edhe kohën mesatare të kaluar para televizorit ose të ndënjurit ulur në punë. Mesatarisht koha e kaluar para televizorit ishte tek të tre grupet gati 140 minuta në ditë. Në përfundim të studimit i cili zgjati mesatarisht gati 3 vjet, tek grupi ku u bënë ndërhyrje mbi stilin e jetës u vu re një reduktim me 22 minuta më pak të kaluara para televizorit, shumë herë më i lartë se tek grupi i trajtuar me metforminë (-3 minuta) dhe në grupin e trajtuar me placeb (-8 minuta). Mbas rregullimeve mbi moshën, gjininë, llojin e trajtimit dhe nivelin e aktivitetit fizik, analiza e kombinuar me të dhënat e të gjithë pjesmarrësve ka nxjerrë në dukje se rreziku për diabet rritet gati 3.4% për çdo orë të kaluar para televizorit. "Programe mbi ndërhyrjen në stilin të jetesës duhet të theksojnë rëndësinë e disa faktorëve si reduktimi i orëve para televizorit dhe lloje të tjera të sjelljeve sedentare dhe aktivitetin fizik-, përfundojnë autorët.