sht262014
Dr.Manjola Çarçani: Shifra alarmuese të mbipeshës në fëmijët shqiptarë
Studimet e kryera ndër vite, tregojnë se fëmijët e moshës 6-18 vjeç kanë tendencë të jenë mbipeshë dhe obezë.
Si pasojë është rritur numri i fëmijëve me diabet tip 1 dhe obezë, dyfishuar rastet e reja me diabet tip2 në fëmijëri . Një fëmijë obez ka shumë mundësi të bëhet një adult obez, me pasojë risk më të lartë për diabet tip 2, HTA, sëmundje kardiake, osteoporozë.
Nga studimi: "Prevalenca e mbipeshës dhe obezitetit në fëmijë dhe adoleshentë", i kryer kohët e fundit në rrethin e Durrësit, rreth 30% e fëmijëve rezulton mbipeshë, shifër e krahasueshme kjo me vende shumë të zhvilluara. U morën 1200 fëmijë të moshës 6 - 18 vjeç, të përzgjedhur në mënyrë rastësore. Iu mat pesha, gjatësia, u llogarit BMI percentile dhe plotësuan një pyetësor mbi mënyrën e ushqyerjes, aktivitetin fizik dhe orët përpara ekranit. Pjesë e pyetësorit ishte dhe historia familiare për diabet.
Fëmijët u ndanë në 2 grupmosha: 6 - 11 vjeç , 12 - 18 vjeç. Për grupin 6 - 11 vjeç , femra janë 250, nga të cilat mbipeshë (BMIp 85 -95) 30 fëmijë ( 12%),obezë (BMIp > 95) 15 fëmijë (6%).Për grupin 12 - 18 vjeç, femra janë 390, nga të cilat 70 mbipeshë (17.95%) dhe 25 obeze (6.4%). Fëmijët meshkuj: në grupin 6 - 11vjeç janë 220 nga të cilët mbipeshë janë 40 (18.2%) dhe obezë janë 35 (15.9%); grupi 12 - 18 vjeç meshkuj, nga 340 , 110 janë mbipeshë (32.36%) dhe 25 janë obezë (7.35%).
Shkaku më i shpeshtë i obezitetit tek fëmijët është faktori gjenetik, mungesa e aktivitetit fizik, model jo i shëndetshëm ushqyerje, ose një kombinim i këtyre faktorëve.Vetëm në raste të rralla të qënit mbipeshë shkaktohet nga një gjendje shëndetësore si psh një problem hormonal. Nga pyetesori që iu paraqit fëmijëve në Durrës u verejt që fëmijët obezë dhe ata mbipeshë kishin një konsum më të lartë të ushqimeve të pasura me karbohidrate, të pijeve të ëmbla, pica dhe ushqimit fast food. Gjithashtu shumica e ketyre fëmijëve kalonin me shumë se 4 orë para ekranit.
Përqindja e lartë e prevalencës së mbipeshës dhe obezitetit në fëmijë dhe adoleshentë në rrethin e Durrësit na lë të mendojmë se edhe në rang kombëtar, situata paraqitet e ngjashme, prandaj kërkohet zbatimi i disa rekomandimeve për trajtim dhe parandalim të rrisqeve të lidhura me këtë. Por njëkohësisht prindërit duhet të jenë të kujdesshëm për të vendosur zakone të shëndetshme në familje si ulja e konsumit të pijeve të ëmbëlsuara, ushqimit të fast food, promovimi i vakteve familiare, rritja e aktivitetit fizik deri në 60 min në ditë. Gjithashtu është më e mundur që këta fëmijë të zhvillojnë stres, depresion dhe vetvlerësim të ulur të vetes. Për këtë duhet treguar një ndjeshmëri e veçantë ndaj nevojave të fëmijës. Ti përfshijmë në aktivitete të cilat nuk i vënë në vështirësi dhe ku nuk ndihen të përjashtuar, si dhe të ndërtohet një komunikim ku të flitet për peshën që kanë dhe se si duhet ta reduktojnë atë.
Dr. Manjola Çarçani