Diabetologji

kor192019

Alzheimeri zhvillohet më shpejt te njerëzit me diabet të patrajtuar

Sipas një studimi të publikuar në "Diabetes Care", pacientët me diabet të patrajtuar zhvillojnë shenja të sëmundjes së Alzheimerit 1.6 herë më shpejt sesa njerëzit që nuk kanë diabet dhe më shpejt se ata që janë diabetikë, por që kurohen.
"Rezultatet tona theksojnë rëndësinë e menaxhimit të diabetit ose sëmundjeve të tjera metabolike te të rriturit, sa më shpejt të jetë e mundur", thotë Elissa McIntosh dhe Daniel Nation (Universiteti i Kalifornisë Jugore, Los Anxhelos), autorë të studimit për llogari të Iniciativës së Neuroimazherisë së Sëmundjes së Alzheimerit. Hulumtuesit kanë dashur të analizojnë përparimin e "patologjisë tau", apo vileve neurofibrilare që rrethojnë bërthamën e neuroneve dhe janë shenjë dalluese e sëmundjes së Alzheimerit te njerëzit me nivele normale të glukozës, me paradiabet ose me diabet tip 2, si të trajtuara, ashtu edhe të patrajtuara.

Për ta bërë këtë, ata kanë vlerësuar të dhënat e mbledhura nga Iniciativa e Neuroimazherisë së Sëmundjes së Alzheimerit te 1.289 njerëz të moshës 55 vjeç e lart, të dhëna që përfshinin bioshenjues për diabetin dhe sëmundjet vaskulare, skanimet e trurit dhe një sërë treguesish shëndetësorë, përfshirë performancën në testimin e kujtesës.
Për disa pjesëmarrës, ekspertët ishin në gjendje të analizonin të dhënat për një periudhë prej 10 vjetësh, ndërsa për të tjerët, për një periudhë kohore një, deri në katër vjet. Te 900 prej këtyre pacientëve u krye një punkturë lumbare për të vlerësuar taun e fosforiluar (p-tau), taun total (t-tau) dhe β-amiloiden 1-42 (Aβ1-42). Ndër këta njerëz, 54 vuanin nga diabeti i tipit 2, por nuk trajtoheshin, 67 ishin të sëmurë e u trajtuan dhe 250, ishin në gjendje paradiabetike. Pas përllogaritjes, grupi me diabet të patrajtuar tregoi nivele më të larta të p-tau, t-tau dhe të raportit p-tau/Aβ1-42 në krahasim me grupet me glicemi normale, paradiabet e diabet të trajtuar dhe vlerat më të larta të raportit t-tau/Aβ1-42, krahasuar me grupet me glicemi normale dhe paradiabet.

Grupi me diabet të patrajtuar tregoi përparim drejt demencës në nivele më të larta sesa grupi me glicemi normale. "Është e mundur që barnat për trajtimin e diabetit të bëjnë dallimin në progresin e degjenerimit cerebral, por nuk është e qartë saktësisht se si ato mund të ngadalësojnë ose parandalojnë fillimin e sëmundjes së Alzheimerit, ndaj kjo është një temë mbi të cilën nevojitet të kryhen studime të mëtejshme", përfundojnë autorët.


Diabetes Care. 2019. doi: 10.2337/dc18-1399
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30833374


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>