Diabetologji

kor202020

Predispozita për diabetin e tipit 2, jep shenja që në fëmijëri

Tashmë është e mundur që, që nga mosha tetë vjeçare të identifikohen shenjat e para të një predispozite të veçantë për zhvillimin e diabetit të tipit 2 në moshën e rritur, sipas një studimi të botuar në "Diabetes Care". "Ne e dinim që diabeti nuk zhvillohet brenda natës. Ajo që nuk e dinim është se sa herët në jetë janë të dukshme shenjat e para të aktivitetit të sëmundjes dhe cilat janë këto shenja të para", shpjegon Joshua Bell, nga Universiteti i Bristolit, autori kryesor i studimit.

Studiuesit aplikuan rezultatin e rrezikut gjenetik për zhvillimin e diabetit të tipit 2 në moshën madhore në mostrat e gjakut të marra nga mbi 4,000 pjesëmarrës në studimin "Children of the 90s"  në moshat 8, 16, 18 dhe 25 vjeç. Informacioni gjenetik u kombinua me një qasje metabolomike, në përpjekje për të identifikuar modele specifike për fazat e hershme të zhvillimit të diabetit të tipit 2. Studimi u krye te të rinjtë pa diabet të tipit 2 dhe pa sëmundje të tjera kronike. Ekspertët vërejtën në mënyrë të veçantë se disa lloje të kolesterolit HDL ishin ulur në moshën tetëvjeçare para se të rriteshin llojet e tjera të kolesterolit (përfshirë ai LDL), ndërsa inflamacioni dhe aminoacidet u ngritën në moshën 16-18 vjeç.

"Në të vërtetë, ne po flasim për një predispozitë, më tepër sesa për një sëmundje klinike. Prania e këtyre shenjave nuk do të thotë që të rinjtë tashmë kanë diabet, por bëhet fjalë për dallime delikate në metabolizmin e disa individëve që janë më të prirur për ta zhvilluar sëmundjen më vonë në jetë", thotë Belli. Sipas autorëve, këto të dhëna mund të ndihmojnë në zbulimin e biologjisë së zhvillimit të diabetit dhe se cilat tipare mund të individualizohen më herët për të parandaluar shfaqjen e sëmundjes dhe komplikacionet e saj.

"Kjo është e rëndësishme sepse ne e dimë se efektet e dëmshme të glukozës në gjak, siç janë sëmundjet kardiake, nuk janë ekskluzive për njerëzit me diabet të diagnostikuar, por shtrihen në një masë më të vogël, më gjerë në popullatë", përfundon Belli.


Diabetes Care 2020. Doi: 10.2337/dc19-2348
https://doi.org/10.2337/dc19-2348 


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>