mar282022
Zbulimi i përqendrimit të glukozës në lëngjet trupore. Mësimi që na jep kameleoni
Natyra është një burim frymëzimi, koncept ky shumë i qartë për një grup kërkimor ndërkombëtar, i cili duke përdorur si model lëkurën e kameleonit, ka arritur të zhvillojë një pajisje që është e aftë të zbulojë përqendrimin e glukozës në urinë.
Studimi, i publikuar në NPG Asia Materials dhe në të cilin morën pjesë disa studiues italianë, përshkruan në detaje karakteristikat dhe potencialin e pajisjes, si dhe dizajnin e saj. "Në këtë artikull, duke u frymëzuar nga ndërveprimet dritë-lëndë dhe nga funksionalitetet e lëkurës së kameleonit, ne raportojmë zhvillimin e një sistemi të shpejtë, të ndjeshëm dhe antibakterial për zbulimin e glukozës", shkruajnë autorët. "Sistemi novator që po propozohet, përbëhet nga hidroxhele në formë rrjetesh tredimensionale që iu përgjigjen stimujve dhe fibrave me strukturë dhe veti unike", shpjegojnë ata. Sistemi i krijuar është, duke e thjeshtuar, një pajisje kompakte dhe e qëndrueshme e formuar nga disa shtresa, dy shtresa të jashtme hidroxheli dhe një shtresë e brendshme e elektrofiluar. Për më tepër, përveçse është fleksibël, platforma ka përmirësuar vetitë termoreaktive dhe antibakteriale, të marra edhe falë pranisë së nanokubeve të argjendit.
Siç ka shpjeguar Luciano De Sio, një nga studiuesit në Universitetin Sapienza të Romës që mori pjesë në projekt, studimi tregon se biosensori është në gjendje të monitorojë përqendrimet shumë të ulëta të glukozës. Sensori mund të zbulojë përqendrime më të ulëta se ato të dallueshme me pajisjet ndihmëse të disponueshme. "Duke marrë parasysh vetitë antibakteriale dhe reaktivitetin fototermik të platformës, së bashku me aftësinë zbuluese, sistemi ynë ka dëshmuar se është një platformë premtuese që arrin të zbulojë nivelet e glukozës në lëngjet e trupit", thuhet në përfundim të artikullit.
"Hapat e ardhshëm do të jenë shfrytëzimi i aftësisë së madhe të pajisjes duke shtuar modifikimet e duhura biokimike që japin mundësi për përdorimin e biosensorit në fusha të tjera të aplikimit, të tilla si monitorimi i shënjuesve tumoralë ose njohja specifike e antitrupave si p.sh., ato të zhvilluara pas infeksionit Sars-CoV-2", tha Antonella Calogero, nga Universiteti Sapienza i Romës.
NPG Asia Materials 2022. Doi: 10.1038/s41427-022-00365-9.
https://doi.org/10.1038/s41427-022-00365-9