Diabetologji

qer102022

Covid-19. Shtohet rreziku i diabetit të sapodiagnostikuar te moshat e reja

Siç dihet, infeksioni nga Sars-CoV-2 shoqërohet me përkeqësim të simptomave të diabetit dhe njerëzit me diabet kanë një rrezik më të lartë për t'u prekur nga format e rënda të Covid-19, por, infektimi me coronavirus mund të shkaktojë edhe diabet të diagnostikuar rishtazi, veçanërisht te të rinjtë.

Alarmi është ngritur nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në  "Raportin javor të Morbiditetit dhe Vdekshmërisë". Mesazhi kryesor është vënia në zbatim në mënyrë urgjente e strategjive parandaluese të infeksionit Sars-CoV-2 tek individët nën moshën 18 vjeç. Në fakt, njerëzit e kësaj grupmoshe që infektohen me Covid-19 kanë më shumë gjasa të marrin një diagnozë të re diabeti 30 ditë pas infektimit sesa njerëzit e painfektuar me Covid-19.

Kjo dëshmi vjen nga një studim i kryer për vlerësimin e rrezikut për çdo diagnozë të re diabeti (tipi 1, tipi 2 ose diabet tjetër) >30 ditë pas infeksionit akut Sars-CoV-2. CDC-ja vlerësoi incidencën e diabetit te pacientët e moshës <18 vjeç të diagnostikuar me Covid-19 nga grupet retrospektive të ndërtuara duke përdorur të dhënat e kujdesit shëndetësor të Iqvia-s për periudhën 1 mars 2020-26 shkurt 2021 dhe i krahasoi ato me incidencën te pacientët në përputhje me moshën dhe gjininë, 1) ata të cilët nuk morën një diagnozë Covid-19 gjatë pandemisë, ose 2) ata të cilët morën një diagnozë parapandemike të infeksionit akut respirator jo-Covid-19 (ARI). Analizat u përsëritën duke përdorur një burim të dytë të dhënash (HealthVerity; 1 mars 2020 - 28 qershor 2021) që përfshinte pacientët të cilët ishin vizituar për një problem shëndetësor që mund të lidhej me Covid-19.

Midis këtyre pacientëve, incidenca e diabetit ishte dukshëm më e lartë tek ata me Covid-19 sesa tek ata pa Covid-19, në të dyja bazat e të dhënave (Iqvia: raporti i rrezikut [Hr] = 2.66, 95% CI = 1, 98-3.56; HealthVerity: Hr = 1,31, 95% CI = 1,20-1,44) dhe 2) me ARI jo-Covid-19 në periudhën parapandemike (Iqvia, Hr = 2,16, CI 95 % = 1,64-2,86).

"Rreziku i shtuar i diabetit te njerëzit e moshës <18 vjeç të infektuar me Covid-19 nënvizon rëndësinë e strategjive të parandalimit të këtij virusi, duke përfshirë vaksinimin për të gjithë personat e përshtatshëm në këtë grupmoshë, si dhe për parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike", shkruajnë autorët e studimit, të cilët specifikojnë se "mekanizmi se si Sars-CoV-2 mund të çojë në raste të reja të diabetit është ndoshta kompleks dhe mund të ndryshojë për diabetin e tipit 1 dhe tipit 2". Në këtë grupmoshë, pas infektimit nga Sars-CoV-2, është i rëndësishëm monitorimi për pasojat afatgjata, përfshirë edhe shenjat e diabetit të ri, përfundojnë ekspertët.

 

MMWR Morb Mortal Wkly Rep. 2022;71:59-65. doi: 10.15585/mmwr.mm7102e2.
https://pubmed.ncbi.nlm.nih.gov/35025851/

 


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>