sht52022
Rastet me diabet dhe hipertension të hershëm, duhet të shtyjnë për ekzaminim të glaukomës
Sipas një studimi të botuar në Clinical Ophthalmology, sa më shpejt të zhvillohet diabeti i tipit 2 ose hipertensioni në jetë, aq më shpejt ka të ngjarë të zhvillohet glaukoma primare me kënd të hapur (POAG), shkaku kryesor i verbërisë së pakthyeshme në mbarë botën.
"Aktualisht na mungojnë mjetet për të trajtuar glaukomën me kënd të hapur, por duke ndërhyrë në kohë mund të ruajmë shikimin e pacientëve. Diagnoza e hershme e glaukomës është çelësi për kontrollin më të mirë të presionit intraokular dhe për parandalimin e verbërisë", shpjegon autori kryesor i studimit Karanjit Kooner, nga Universiteti i Teksasit.
Për shkak se glaukoma me kënd të hapur shfaq pak simptoma në fazat e saj të hershme, pacientët shpesh diagnostikohen kur shikimi është dëmtuar përgjithmonë. Edhe pse, studiuesit kanë identifikuar disa faktorë rreziku për POAG-në, duke përfshirë: diabetin e tipit 2, hipertensionin, migrenën dhe apnean obstruktive të gjumit, vazhdon ende të jetë e paqartë se si këta faktorë ndikojnë në shfaqjen e sëmundjes.
Për të kuptuar më mirë situatën, studiuesit mblodhën të dhëna nga kartelat mjekësore të 389 pacientëve me POAG, të regjistruar në periudhën qershor-dhjetor 2019 në Southwestern Medical Center.
Analiza statistikore nuk tregoi asnjë lidhje ndërmjet migrenës, apneas obstruktive të gjumit dhe moshës së fillimit të POAG-së.
Megjithatë, ekspertët zbuluan se mosha në të cilën u diagnostikua diabeti i tipit 2 ose hipertensioni lidhej ndjeshëm me fillimin e POAG-së; në fakt, sa më herët pacientët të kishin njërën ose të dyja këto patologji, aq më herët kishin tendencë të zhvillonin glaukomë. Autorët theksojnë se si diabeti i tipit 2 ashtu edhe hipertensioni janë sëmundje që prekin enët e gjakut të nervit optik dhe retinës duke shkaktuar ndryshime që predispozojnë pacientët për POAG.
"Nëse këto lidhje konfirmohen në studimet e ardhshme, diabeti i tipit 2 dhe hipertensioni mund të shtohen në listën e faktorëve që mund të shtyjnë për ekzaminimin e glaukomës, si historia familjare e sëmundjes, presioni i ngritur intraokular dhe ngjyra e lëkurës", përfundon Kooner.
Clinical Ophthalmology 2022. Doi: 10.2147/OPTH.S360719
http://doi.org/10.2147/OPTH.S360719