shk22016
Angina e paqëndrueshme, trajtimi agresiv rekomandohet edhe në moshë të avancuar
Qasja invazive ka një impakt më të mirë në prognozën e personave të moshës 80-90 vjeç të prekur nga angina e paqëndrueshme ose nga infarkti miokardiak Nstemi (pra pa mbinivelim të traktit ST), në krahasim me vetëm terapinë mjekësore konservative. Është ky përfundimi i një studimi të publikuar në revistën "The Lancet" nga një grup kërkuesish norvegjezë. Drejtuesi i tyre, Bjorn Bendz nga departamenti i kardiologjisë në Universitetin e Oslos thotë se kanë marrë në studim një grup prej 450 personash mbi 80 vjeç me anginë të paqendrueshme ose Nstemi duke aplikuar mbi ta strategji invazive ose konservative.
Opsioni i parë parashikonte kryerjen e hershme të një angiografie koronarike me vlerësim të menjëhershëm të indikimit për rivaskularizim koronarik nën lëkurë, me bypass koronarik ose vetëm me trajtimin mjekësor optimal. Ndërsa strategjia konservative parashikonte vetëm terapinë mjekësore.
Gjatë një follow-up-i 18 mujor për gjysmën e pacientëve, endpointi primar, pra një përzierje e infarktit të miokardit, iktusit, vdekshmërisë dhe çdo lloj gjendjeje që kërkon një rivaskularizim urgjent - ka qenë më pak i shpeshtë me strategjinë invazive se sa me qasjen konservative: respektivisht 41% dhe 61%.
Normat e komplikacioneve rezultuan të ngjashme në të dyja grupet. "Avantazhet e qasjes invazive megjithatë duken se pakësohen me rritjen e moshës, edhe pse për të përcaktuar më mirë këtë të dhënë do të duheshin me shumë se 34 nëntëdhjetëvjeçarët që morën pjesë në studimin tonë", shkruajnë autorët, duke kujtuar se sipas statistikave një person që arrin moshën 80 vjeçare mund të presë që të jetojë mesatarisht edhe 8 vjet të tjera nëse është burrë dhe 9 vjet nëse është grua.
"Pavarësisht kësaj, personat në këtë moshë janë pak të përfaqësuar në studime klinike dhe kanë më pak mundësi për të marrë trajtime sipas udhëzuesve", komenton në një editorial Stephen Nicholls nga Universiteti i Adelaides në Australi.
Dhe përfundon "Ky studim, i cili ka të bëjë drejtpërdrejt me popullatën mbi 80 vjeç është i pari që tregon se një strategji trajtimi më invazive çon në rezultate më të mira në krahasim me vetëm terapinë mjekësore maksimale në këtë nën popullatë pacientësh"./D.GJ.
The Lancet 2016. doi: 10.1016/S0140-6736(15)01166-6http://www.thelancet.com/journals/lancet/article/PIIS0140-6736(15)01166-6/abstract
The Lancet 2016. doi: 10.1016/S0140-6736(16)00036-2http://www.thelancet.com/journals/lancet/article/PIIS0140-6736(16)00036-2/abstract