gus32018
Pas iktusit ishemik, problemet sociale ndikojnë mbi ato fizike
Një studim i ri, i publikuar në "Neurology", nxjerr në pah disa nga problemet më të zakonshme jo fizike të përjetuara nga pacientët pas një iktusi ishemik, me rezultate të habitshme. Hulumtimi, i cili shqyrtoi informacionet e raportuara nga pacientët dhe të mbledhura në klinikën cerebro-vaskulare të Klinikës së Klevelandit nga viti 2015 deri në vitin 2017, zbuloi se pas funksionit fizik, fushat më të prekura te pacientët me iktus ishemik ishin kënaqësia me gjendjen sociale dhe funksioni ekzekutiv.
"Ndërsa ne të gjithë presim që nga iktusi të ndikohet funksioni fizik dhe jo kënaqësia në rolet shoqërore dhe funksionet ekzekutive, në fakt, zbuluam se ato ishin më të zakonshme se ankthi dhe depresioni, një rezultat ky mjaft i papritur", thotë autori kryesor i punës, Irene Katzan, nga Klinika Kleveland në Ohajo.
Hulumtuesit kanë vënë re se pacientët zakonisht vlerësohen duke përdorur rezultate të kufizuara që nuk marrin parasysh faktorët e shumtë që ndodhin bashkë dhe si ndërveprojnë me njëri-tjetrin, por kryesisht kanë të bëjnë me çrregullime motorike. Studimi analizoi të dhënat nga 1,195 pacientë me iktus në tru, duke përdorur Sistemin Informativ të Matjes së Rezultateve të Raportuara nga Pacienti (PROMIS), i cili merr në konsideratë disa fusha dhe vlerësimin Neuro-QoL. Rezultatet treguan se paaftësia, të ardhurat më të ulëta dhe gjinia femërore ishin të lidhura me rezultate më të këqija në më shumë fusha. Mosha ishte e lidhur me një funksion më të keq fizik, por me më pak ankth, depresion dhe çrregullime të gjumit. Shëndeti i raportuar nga pacienti është përkeqësuar me rritjen e nivelit të paaftësisë në të gjitha fushat.
"Rezultatet tona, sipas të cilave shëndeti ndikohet ndryshe me rritjen e niveleve të paaftësisë, mbështesin vlerën e vlerësimit të fushave të vetme në pacientët me iktus, pavarësisht nga ashpërsia e vetë goditjes", përfundojnë hulumtuesit. Në një editorial shoqërues, Mary George (Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Atlanta) dhe Xingquan Zhao (Instituti i Pekinit) shkruajnë: "Studimi hedh dritë mbi atë se si mbijetesa pas një iktusi ishemik e ndryshon të mbijetuarin nga popullsia e përgjithshme edhe në shumë fusha shëndetësore dhe kjo mund të përmirësojë kuptimin e nevojave dhe sfidave të pacientëve nga mjeku, duke i kushtuar vëmendje më të madhe rezultateve që janë të rëndësishme për shumicën e pacientëve".
Neurology. 2018. doi: 10.1212/WNL.0000000000005327
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29592886
Neurology. 2018. doi: 10.1212/WNL.0000000000005321
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29592887