Focus

dhj162019

Oksiuriaza. Infeksioni mund të shmanget duke respektuar këto rregulla të thjeshta të higjienës

Shoqata Botërore për Sëmundjet Infektive dhe Çrregullimet Imunologjike (WAidid) ka sjellë në vëmendje oksiuriazën, infeksion parazitar intestinal që prek 500 milionë njerëz në botë, më së shumti, fëmijët në moshë shkollore dhe parashkollore.

"Parazitët intestinalë godasin mbi të gjitha fëmijët që, nganjëherë në shtëpi, por më shpesh në shkollë apo në kopsht, lënë pas dore rregullat bazë të higjienës, siç është larja e duarve para ushqimit dhe pasi të kenë shkuar në banjë. Por, më shumë sesa mungesa e higjienës, faktorët e tjerë të rrezikut për të mos u nënvlerësuar janë ushqimet e thata apo pak të ziera, veçanërisht mishrat, apo ato që nuk lahen në mënyrën e duhur, siç ndodh shpesh me frutat e perimet. Infektueshmëria e lartë e oksiureve, pastaj komprometon edhe shëndetin e prindërve", shpjegon Susanna Esposito (Universiteti i Parmës, presidente e WAidid).
"Për këtë, ndjekja e disa detajeve të sakta rezulton thelbësore në parandalimin e këtij infeksioni dhe në shmangien e infektimit, kur ndodh që infektohet një subjekt brenda familjes apo një grupi", nënvizon ajo.

Sipas ekspertëve, hapi i parë në rast të oksiuriazës konsiston në inspektimin e zonës anale dhe perianale pas zgjimit, për të zbuluar praninë e oksiureve femra, që me lëvizjen e tyre gjatë vënies së vezës, shkaktojnë të kruarat. Gjithashtu, është e nevojshme të vëzhgohen me kujdes rrobat intime dhe të bëhet scotch testi, duke aplikuar një ngjitës në zonën anale, për të mbledhur vezët e mundshme, që do të ekzaminohen më tej në mikroskop. Në rast se infeksioni konfirmohet, është e nevojshme të nisë një trajtim me barna, në dy doza, me distancë dy javë. Për të lehtësuar të kruarat, këshillohet t'i vishen fëmijës mbathje prej pambuku dhe të aplikohet lokalisht një pomadë qetësuese.

Infeksioni mund të përsëritet, veçanërisht në rast se vonohet marrja e dozës së dytë, ose mund të transmetohet sërish nga njerëz të të njëjtit grup që janë të infektuar.
Për të evituar infektimin, WAidid shpjegon se është e nevojshme të lahen me kujdes duart para ushqimit, të shmanget konsumimi i mishrave apo peshkut jo të gatuar mirë, të lahen frutat e perimet dhe të mos lihen ushqimet jashtë frigoriferit për më shumë se dy orë. Një kujtesë e rëndësishme është ajo e larjes së veshjeve intime, çarçafëve dhe peshqirëve, të paktën në 60°, të ndara nga rrobat e tjera, të higjienizohen hidrosanitaret, banakët e tavolinat e kuzhinës dhe të kontrollohet që të mos shkëmbehen lodra mes fëmijëve kur ka raste infeksioni.

 

Deklaratë për shtyp, WAidid


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>