qer132023
Epilepsia dhe Alzheimeri. Lidhja shkakësore është dy drejtimëshe
Njerëzit e predispozuar gjenetikisht ndaj Alzheimerit mund të jenë në rrezik të lartë për të zhvilluar epilepsi dhe anasjelltas, ata me epilepsi fokale mund të kenë më shumë mundësi të zhvillojnë Alzheimer, sipas një studimi të botuar në "Neurology".
"Gjetjet tona mbështesin teorinë se duhen bërë më shumë përpjekje për të kontrolluar epilepsinë te njerëzit me sëmundjen e Alzheimerit, dhe gjithashtu për të kuptuar ndikimin e krizave te ata që përballen me këto dy patologji të vështira neurologjike", thotë Jiali Pu nga Shkolla e Mjekësisë e Universitetit Zhejiang në Hangzhou, Kinë, autori kryesor i studimit.
Studiuesit analizuan variacionin gjenetik në të gjithë gjenomin e 111,326 njerëzve me sëmundjen e Alzheimerit dhe 677,663 njerëzve pa këtë sëmundje përmes një studimi të asociacionit të gjenomit. Ekspertët më pas përcaktuan nëpërmjet randomizimit mendelian nëse ekzistonte një lidhje shkak-pasojë midis variacioneve gjenetike dhe rrezikut për epilepsi. Nga analiza e të dhënave rezultoi se sëmundja e Alzheimerit e rriste me 5.3% rrezikun për epilepsi të gjeneralizuar, me konvulsione që ndodhin në të dy gjysmat e trurit. Autorët gjetën gjithashtu një rritje prej 1.3% të rrezikut për epilepsi fokale, me konvulsione të përsëritura që prekin gjysmën e trurit.
Hulumtuesit më pas vlerësuan gjenet e 15,212 njerëzve me epilepsi dhe i përputhën me ato të 29,677 njerëzve pa epilepsi. Ata zbuluan se individët që kishin epilepsi fokale me sklerozë hipokampale kishin pothuajse katër herë më shumë mundësi për të zhvilluar sëmundjen e Alzheimerit në krahasim me njerëzit pa epilepsi. Gjithashtu u analizuan gjenet e 13,116 njerëzve për të cilët kishte të dhëna për amiloidin e lëngut cerebrospinal, një shënjues i sëmundjes së Alzheimerit që tregon rritje të depozitimit të pllakave amiloide në tru. Në këtë rast, u vu re se gjenet që parashikonin një sasi më të ulët të bioshënjuesve lidheshin me rritje të rrezikut për zhvillimin e epilepsisë së gjeneralizuar. Një ndër kufizimet e studimit ishte se pjesëmarrësit ishin me prejardhje evropiane; prandaj, rezultatet mund të mos jenë të përgjithësueshme për njerëzit që jetojnë në vende të tjera dhe i përkasin etnive të ndryshme.
Neurology 2023. Doi: 10.1212/WNL.0000000000207423
http://doi.org/10.1212/WNL.0000000000207423