Gjinekologji

qer242021

Presioni i lartë i gjakut rrezikon gratë në të dyzetat

Gratë në të dyzetat që kanë presion arterial lehtësisht të ngritur, janë dy herë më të rrezikuara për të zhvilluar sindroma akute koronare në të 50-tat, në krahasim me bashkëmoshataret normotensive. "Analizat tona konfirmuan se presioni i gjakut pak i ngritur ndikon në rrezikun e sindromave akute koronare në mënyrë specifike të lidhur me gjininë. Gjetjet shtojnë prova të reja që tregojnë se presioni i lartë i gjakut ka efekte veçanërisht të dëmshme në zemrat e grave", tha Ester Kringeland (Universiteti i Bergenit në Norvegji), autor i një studimi të botuar në "European Journal of Preventive Cardiology".

Studimet e mëparshme kanë sugjeruar që presioni i lartë i gjakut është një faktor më i fortë rreziku te gratë, presioni mesatar i gjakut të të cilave në moshën e re ose të mesme është më i ulët se ai i burrave. Pavarësisht kësaj, pragu për diagnozën e hipertensionit nuk ndryshon sipas gjinisë. Në studim iu mat presioni i gjakut në moshën 41 vjeçare 6,381 grave dhe 5,948 burrave, pjesëmarrës në Hordaland Health Study dhe u regjistruan atakët në zemër që ndodhën gjatë një ndjekjeje 16-vjeçare. Pas përshtatjes sipas faktorëve të rrezikut për sëmundjet kardiovaskulare, u zbulua se gratë që kishin tension lehtësisht të ngritur (130-139/80-89 mmHg; hipertensioni i fazës 1) ishin dyfish më të rrezikuara për sindroma akute koronare gjatë moshës së mesme. Kjo lidhje nuk u gjet te burrat.

"Edhe nëse ndihen në formë, gratë duhet ta kontrollojnë presionin e gjakut te mjeku i tyre i familjes dhe ta përsërisin matjen në intervale të rregullta me një frekuencë të varur nga presioni i gjakut", tha Kringelandi. "Ato me faktorë të tjerë të rrezikut për sëmundjet e zemrës, të tillë si: mbipesha, diabeti, sëmundjet autoimune, ndërlikimet e shtatzënisë ose prindërit me hipertension, kanë nevojë për monitorim më intensiv", vazhdoi ajo. Për studiuesen është e rëndësishme që gratë ta dinë sa e kanë presionin e gjakut dhe të kujtojnë se për ta mbajtur atë normal, rekomandohet ruajtja e një peshe normale të trupit, ndjekja e një diete të shëndetshme dhe ushtrimet e rregullta. Gjithashtu, duhet shmangur pirja e duhanit dhe konsumimi i tepërt i alkoolit.

 

Eur J Prev Cardiology. Doi: 10.1093/eurjpc/zwab068
https://doi.org/10.1093/eurjpc/zwab068


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>