Gjinekologji

tet122022

Vdekshmëria materne pas lindjes është e parandalueshme

Sipas një raporti të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) mbi 80% e vdekjeve materne në SHBA i atribuohen shkaqeve të cilat mund të parandalohen.

Studiuesit e CDC-ve analizuan vdekjet e lidhura me shtatzëninë në periudhën 2017-2019, bazuar në shifrat e ofruara nga komitetet e rishikimit të vdekshmërisë materne dhe grupet multidisiplinare në 36 shtete të cilët hetojnë shkaqet e vdekjeve materne.

Nga 1018 vdekje të regjistruara në dy vitet e konsideruara, 839 prej tyre kanë ndodhur në një periudhë deri në një vit pas lindjes. Rreth 22% e vdekjeve kanë ndodhur gjatë shtatzënisë, dhe 25% në ditën e lindjes ose brenda një jave pas lindjes, ndërsa deri pothuajse 53% e vdekjeve kanë ndodhur më vonë.

Problemet e shëndetit mendor, si vdekjet nga mbidoza dhe vetëvrasja, ishin shkaku kryesor, i ndjekur nga hemorragjia ose gjakderdhja ekstreme. Rreth një e katërta e vdekjeve kishin ndodhur për shkak të problemeve të shëndetit mendor, 14% nga hemorragjia dhe 13% nga problemet kardiovaskulare. Pjesa tjetër lidhej me infeksionet, embolitë, kardiomiopatitë dhe çrregullime të tjera të lidhura me presionin e lartë të gjakut.

Analiza përfshinte një seksion mbi vdekjet materne të fokusuara te nënat indiane amerikane dhe vendase të Alaskës, të cilat kishin më shumë se dy herë më shumë mundësi të vdisnin krahasuar me nënat e bardha, por që shpesh nënvlerësoheshin në të dhënat shëndetësore për shkak të klasifikimit të gabuar. Mbi 90% e vdekjeve të tyre u klasifikuan si të parandalueshme, pasi në shumicën e rasteve ato lidheshin drejtpërdrejt me gjendjet e shëndetit mendor dhe hemorragjitë.

Nënat me ngjyrë kishin tre herë më shumë mundësi të vdisnin nga problemet kardiovaskulare krahasuar me nënat e bardha. Nënat hispanike, të cilat përbënin 14% të vdekjeve, kishin më shumë gjasa të vdisnin nga problemet e shëndetit mendor.

Sipas CDC-ve disa nga vdekjet, si ato të shkaktuara nga hemorragjitë, mund të jenë të parandalueshme, pasi ekzistojnë udhëzime të bazuara në prova për parandalimin dhe trajtimin e hemorragjisë së tepërt. Për më tepër, raporti thekson nevojën për më shumë burime të shëndetit mendor gjatë shtatzënisë dhe periudhës pas lindjes, deri në një vit ose më shumë pas lindjes, për të përmirësuar aksesin në kujdes, diagnostikim dhe trajtim.

 

CDC USA
https://www.cdc.gov/reproductivehealth/maternal-mortality/erase-mm/data-mmrc.html


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>