Kardiologji

jan242023

Aspirina në parandalimin kardiovaskular. Përditësohen udhëzimet

"Njerëzit që aktualisht marrin aspirinë dhe kanë dyshime se përse e bëjnë këtë, apo nëse duhet ta vazhdojnë apo ta ndërpresin, duhet ta diskutojnë këtë me mjekun e tyre", shkruajnë ekspertët, duke vënë në dukje se si mosha, rreziku kardiovaskular dhe nivelet e gjakderdhjes, preferencat dhe motivimet janë faktorë që mjekët duhet t'i kenë parasysh.

Për ekspertët, njerëzit 60 vjeç e lart nuk duhet të fillojnë ta marrin atë si parandalim parësor të sëmundjes kardiovaskulare. Megjithatë, në rastin e individëve 40-59 vjeç, përdorimi i barit mund të merret në konsideratë në prani të një rreziku 10-vjeçar të sëmundjes kardiovaskulare prej të paktën 10%, por vendimi përfundimtar duhet të vlerësohet individualisht. Në të vërtetë, përfitimi neto është i kufizuar në këtë grupmoshë dhe më shumë do të përfitojnë njerëzit pa rrezik të shtuar hemorragjik. Duhet theksuar se rekomandimet, të disponueshme në JAMA, zbatohen vetëm për individët që nuk kanë as histori, as shenja ose simptoma të sëmundjes kardiovaskulare, ose një gjendje për të cilën indikohet aspirina.

Siç shpjegoi nënkryetari i grupit, Michael Barry (Shkolla Mjekësore e Harvardit në Boston), aspirina është vetëm një nga mjetet me të cilat mund të ulet rreziku kardiovaskular. "Njerëzit mund ta reduktojnë ndjeshëm rrezikun e tyre në shumë mënyra të tjera, të tilla, si: ushtrimet, ndjekja e një diete të shëndetshme, kontrolli i presionit të gjakut dhe diabetit dhe marrja e statinave nëse kanë një rrezik të rritur kardiovaskular", tha ai.

Në artikull, konkluzioni i ekspertëve është se ka prova të mjaftueshme që tregojnë se, te të rriturit e moshës 40 vjeç e lart, pa histori të sëmundjes kardiovaskulare, por me rrezik të shtuar, aspirina ka një efekt të kufizuar në reduktimin e rrezikut të ngjarjeve kardiovaskulare, si iktusi dhe infarkti i miokardit jo fatal. Përfitimi, përsa i përket "madhësisë absolute", rritet me rrezik në rritje në 10 vjet dhe madhësia e përfitimeve gjatë jetës është më e madhe kur aspirina fillon të merret në moshë të re. Megjithatë, provat tregojnë se medikamenti shton rrezikun e hemorragjisë gastrointestinale dhe intrakraniale dhe të iktusit hemorragjik dhe se shtrirja e përgjithshme e kufizuar e dëmtimit rritet në grupmoshat më të vjetra, veçanërisht te njerëzit mbi 60 vjeç. Mjekët dhe pacientët këshillohen edhe që të marrin në konsideratë ndërprerjen e barit rreth moshës 75 vjeç.

Së fundi, është e paqartë nëse medikamenti redukton rrezikun e vdekshmërisë ose incidencën e kancerit kolorektal. Deklarata u shoqërua me publikimin e një rishikimi të evidencave, një studim modelimi, një faqe pacienti dhe disa editoriale komentuese.

 

JAMA 2022. Doi:10.1001/jama.2022.4983.
https://doi.org/10.1001/jama.2022.4983


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>