mar152023
Infeksionet materne gjatë shtatzënisë rrisin rrezikun për leucemi te pasardhësit
Një studim danez i publikuar në "JAMA Network Open" dhe i koordinuar nga Jian-Rong He nga Universiteti Guangzhou në Kinë, tregon se infeksionet materne, veçanërisht ato gjenitourinare gjatë shtatzënisë shtojnë rrezikun për shfaqjen e leucemisë infantile te pasardhësit.
"Edhe pse leucemia është disi e zakonshme te fëmijët dhe etiologjia e saj është pak e njohur, mendohet se ajo mund ta ketë origjinën në mitër, duke pasur parasysh praninë e lezioneve kromozomike të lidhura te të porsalindurit", shkruajnë autorët, duke shtuar se infeksionet në shtatzëni mund të çojnë gjithashtu në anomali kromozomale ose imunologjike fetale, që përbëjnë një faktor rreziku për leuceminë infantile.
Për të sqaruar më mirë këtë situatë, Jian-Rong dhe kolegët vlerësuan lidhjen e infeksioneve të ndryshme të nënës të marra gjatë shtatzënisë me incidencën e leucemisë infantile te pasardhësit duke përdorur të dhënat e 7 regjistrave kombëtarë danezë të lindjeve të gjalla në Danimarkë në periudhën 1978-2015. Rezultati primar ishte shfaqja e ndonjë lloji leucemie dhe rezultatet sekondare ishin leucemia limfoide akute (ALL) dhe leucemia mieloide akute (AML).
"Ne vumë re se fëmijët e lindur nga nëna që kishin pasur infeksione gjatë shtatzënisë kishin një rrezik 35% më të lartë për të zhvilluar leucemi në krahasim me fëmijët e lindur nga nëna që nuk kishin pasur infeksione gjatë shtatzënisë", thonë autorët duke shpjeguar se në krye të listës ishin infeksionet gjenitale dhe urinare të nënës, të cilat lidheshin me nje rritje të mundësive për zhvillimin e leucemisë infantile respektivisht me 142 dhe 65%.
Analiza e vëllezërve dhe motrave, e kryer për të llogaritur faktorët ngaterrues familjar tregoi vlerësime të krahasueshme me analizën e të gjithë grupit. Modelet e lidhjes për ALL-në dhe AML-në ishin të ngjashme me ato për të gjitha llojet e leucemive.
"Nëse konfirmohen edhe nga studimet e ardhshme, këto rezultate mund të lehtësojnë të kuptuarit e etiologjisë dhe zhvillimin e masave parandaluese për leuceminë infantile", përfundojnë studiuesit.
JAMA Network Open 2023. Doi: 10.1001/jamanetworkopen.2023.0133
http://doi.org/10.1001/jamanetworkopen.2023.0133