mar252024
Rënia e fertilitetit në botë
Norma totale e lindshmërisë (TFR) në botë është përgjysmuar, nga 4.84 në 2.23, me numrin vjetor më të lartë të lindjeve në vitin 2016. Kjo rënie e gjeneralizuar e lindshmërisë i ka listuar shumicën e vendeve nën nivelin e zëvendësimit, duke sinjalizuar ndryshime të rëndësishme në shpërndarjen globale të lindjeve, me një parashikim të shtimit të lindjeve në rajonet më të varfra, veçanërisht në Afrikën Subsahariane. Këtë e evidenton autorja Natalia V Bhattacharjee në një artikull rishikues të botuar në revistën The Lancet.
Ekipi i studimit ka përpunuar parashikimet deri në vitin 2100, duke u bazuar në disa skenarë, përfshirë edhe arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara për edukimin dhe përmbushjen e nevojave të kontraceptimit, si edhe të zbatimit të politikave pro lindshmërisë.
Sidoqoftë, parashikohet që TFR në botë do të vazhdojë të bjerë, duke arritur në shifrën 1.83 në vitin 2050 dhe 1.59 në vitin 2100. Gjithashtu, është vlerësuar se numri i vendeve me norma lindshmërie mbi nivelin e zëvendësimit do të ulet ndjeshëm, me ndërlikime të dukshme në plakjen e popullsisë dhe me ulje të forcës punëtore në vendet me të ardhura të larta, në krahasim me një rritje të lindjeve në rajonet e varfra të botës.
"Ne kemi vërejtur se tendencat që prej vitit 2000 tregojnë një heterogjenitet të dukshëm në rënien e lindshmërisë, me shumë pak vende që kanë pasur një rimëkëmbje të lehtë pas arritjes së normës më të ulët. Megjithatë, asnjë prej tyre nuk e ka arritur nivelin e zëvendësimit", shprehet Bhattacharjee.
The Lancet 2024. Doi: 10.1016/S0140-6736(24)00550-6
https://doi.org/10.1016/S0140-6736(24)00550-6