pri232019
Dëmtimi konjitiv. Në bazë të rezultatit të PET-amiloides, ndryshon menaxhimi i pacientit
Sipas një studimi të publikuar në "JAMA", ekziston një lidhje ndërmjet kryerjes së një tomografie me emetim pozitronesh për kërkimin e proteinës amiloide (PET-amiloide) dhe modifikimeve që duhen bërë në menaxhimin e pacientëve me dëmtim konjitiv të lehtë (MCI) ose demencë me etiologji të pasigurt.
"Kemi analizuar më shumë se 11.000 pacientë dhe kemi zbuluar ndryshime të konsiderueshme në përdorimin e barnave për sëmundjen e Alzheimerit, në përdorimin e barnave të një lloji tjetër dhe në strategjitë e konsulencës te pacientët që i nënshtrohen PET-amiloide", shpjegon Gil Rabinovici (Universiteti i Kalifornisë, San Francisco), emri kryesor i studimit. Kërkuesit kanë vlerësuar 11.409 pacientë, nga të cilët, 6.905 janë diagnostikuar me MCI dhe 4.504, me demencë. Rezultatet e PET-amiloides kanë qenë pozitive te 3.817 pacientë me MCI dhe te 3.154 pacientë me demencë.
Të dhënat kanë treguar se ndryshimi më i zakonshëm në menaxhimin e pacientit i përket përdorimit të barnave për sëmundjen e Alzheimerit, që ka pësuar variacione te 43,6% e pacientëve me MCI dhe te 44,9% e pacientëve me demencë. Ndryshime në përdorimin e llojeve të tjera të barnave janë raportuar te 22,9% e pacientëve me MCI dhe te 25,4% e pacientëve me demencë, ndërsa variacionet në konsulencë janë observuar te 24,3% e pacientëve me MCI dhe te 20,7% e pacientëve me demencë. Norma e diagnozës së sëmundjes së Alzheimerit është zvogëluar nga 71,5% që ishte përpara PET, në 10,2% pas PET te pacientët me rezultate negative gjatë skanimit dhe është rritur nga 80,3% përpara PET, në 95,5% pas PET, te pacientët me rezultate pozitive.
Autorët nënvizojnë disa limite të studimit ndërmjet të cilave, projektimi jo me përzgjedhje rastësore, mungesa e grupeve të kontrollit dhe fakti që studimi nuk krahason drejtpërdrejt lidhjen ndërmjet PET-amiloides e grupeve të kontrollit dhe ndryshimet në menaxhimin klinik me ndryshime në menaxhimin që lidhet me instrumente të tjera diagnostikuese. Clifford Jack Jr dhe Ronald Petersen, nga "Mayo Clinic", në një artikull shoqërues, duken optimistë për rezultatet, por theksojnë se duhet të merren në konsideratë faktorë të ndryshëm kur analizohen të dhënat e marra nga studimi.
"Edhe pse rezultatet e studimit tregojnë se njohja më e mirë e etiologjisë së ofruar nga PET-amiloide, përtej standardit aktual të kurës klinike mund të ndryshojë menaxhimin klinik, në disa raste, mbi këtë konkluzion të përgjithshëm, ka dyshime që nuk mund të neglizhohen", përfundojnë opinionistët.
JAMA. 2019. doi: 10.1001/jama.2019.2000
https://jamanetwork.com/journals/jama/article-abstract/2729371
JAMA. 2019. doi: 10.1001/jama.2019.1998
https://jamanetwork.com/journals/jama/article-abstract/2729351