gus22022
Mënyra e jetesës mund të kundërshtojë gjenetikën që vë në rrezik për iktus
Njerëzit që gjenetikisht kanë një rrezik më të lartë për iktus mund ta ulin ndjeshëm atë duke adoptuar një mënyrë jetese të shëndetshme nga ana kardiovaskulare, sipas një studimi të botuar në Journal of the American Heart Association.
"Studimi ynë konfirmoi se ndryshimi i faktorëve të rrezikut të stilit të jetesës, si kontrolli i presionit të gjakut, mund të kompensojë një rrezik gjenetik të iktusit. Informacioni gjenetik mund të përdoret për të përcaktuar pacientet që ndodhen në rrezik më të lartë dhe për t'i inkurajuar ata të adoptojnë një mënyrë jetese të shëndetshme nga ana kardiovaskulare në mënyrë që të mund të jetojnë një jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme", thotë autorja kryesore e studimit Myriam Fornage, nga UTHealth Houston.
Studimi përfshiu 11,568 të rritur 45-64 vjeç, të cilët nuk kishin pësuar iktus dhe u ndoqën për një periudhë mesatare prej 28 vjetësh. Nivelet e shëndetit kardiovaskular bazoheshin në rekomandimet Life's Simple 7 të Shoqatës Amerikane të Zemrës, të cilat përfshijnë: lënien e duhanit, mirushqyerjen, stërvitjen, humbjen në peshë, menaxhimin e presionit të gjakut, kontrollin e kolesterolit dhe uljen e glukozës në gjak.
Rreziku për iktus gjatë gjithë jetës u llogarit në bazë të një rezultati të rrezikut poligjenik. Njerëzit në studim që kishin rrezik më të lartë gjenetik për iktus dhe ata që e kishin shëndetin më të dobët kardiovaskular ishin më të rrezikuar për iktus gjatë gjithë jetës, që ishte 25%.
Pavarësisht nga niveli i rrezikut gjenetik të iktusit, individët me shëndet optimal kardiovaskular e reduktuan atë rrezik me 30% në 45%, që do të thotë një jetëgjatësi gjashtëvjeçare pa iktus. Në përgjithësi, njerëzit me respektim të ulët të Life's Simple 7 pësuan numrin më të madh të iktuseve (56.8%), ndërsa ata me respektim të lartë, pësuan 71 iktuse (6.2%).
Një kufizim i punës është se rezultati i rrezikut poligjenik nuk është vërtetuar gjerësisht; prandaj, dobia e tij klinike nuk është optimale, veçanërisht për njerëzit me origjinë racore ose etnike të ndryshme nga popullata kryesisht e bardhë, mbi të cilën është ndërtuar rezultati.
JAHA 2022. Doi: 10.1161/JAHA.122.025703
http://doi.org/10.1161/JAHA.122.025703