qer202023
Sëmundja inflamatore intestinale dhe iktusi. Marrëdhënia ndërmjet tyre
Pacientët me sëmundje inflamatore intestinale (IBD), një përkufizim që përfshin sëmundjen e Crohn-it, kolitin ulceroz dhe sëmundjen inflamatore intestinale të paklasifikuar, kanë më shumë mundësi të pësojnë një iktus sesa ata pa këto patologji, sipas një studimi të publikuar në "Neurology",
"Pacientët me IBD kishin 13% më shumë mundësi për të pësuar një iktus deri në 25 vjet pas diagnostikimit krahasuar me ata pa IBD. Njerëzit me sëmundje inflamatore intestinale dhe mjekët e tyre duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë rrezik afatgjatë i cili është gjithmonë në rritje", thotë Jiangwei Sun nga Instituti Karolinska në Stokholm, autori kryesor i studimit.
Studiuesit analizuan 85,006 njerëz me IBD të konfirmuar nëpërmjet biopsisë. Secili prej tyre u krahasua me deri në pesë persona të të njejtës gjini, vit lindje dhe qarku të banimit që nuk kishin IBD, për një total prej 406,987 individësh. Gjatë një ndjekjeje mesatare prej 12 vitesh, 3,720 njerëz me IBD pësuan iktus, krahasuar me 15,599 të tjerë që nuk kishin IBD por, gjithashtu pësuan iktus, që barazohet me një normë prej 32,6 për 10,000 vite/njerëz për grupin IBD kundrejt 27,7 për grupin pa IBD.
Kur studiuesit llogaritën faktorët e tjerë potencialisht ngatërrues për rrezikun e iktusit, të tillë si sëmundjet e zemrës, presioni i lartë i gjakut dhe obeziteti, ata zbuluan se njerëzit me IBD kishin 13% më shumë mundësi të pësonin një iktus krahasuar me individët pa IBD. Rritja e rrezikut i atribuohej kryesisht iktusit ishemik dhe atij jo hemorragjik. Për shkak se si IBD-ja ashtu edhe iktusi kanë disa komponentë gjenetikë, autorët përfshinë gjithashtu 101,082 vëllezër e motra të njerëzve me IBD, të cilët nuk kishin histori të IBD-së ose iktusit në fillim të studimit. Në përputhje me gjetjet kryesore, njerëzit me IBD kishin një rrezik më të lartë për iktus sesa vëllezërit e motrat e tyre pa këtë sëmundje. Një nga kufizimet e studimit ishte se kriteret për diagnostikimin e sëmundjes inflamatore të intestinale dhe iktusit kishin ndryshuar gjatë periudhës së studimit, gjë e cila mund të ketë ndikuar edhe te rezultatet. Përveç kësaj, studiuesve u mungonte informacioni gjithëpërfshirës për të gjithë faktorët që shtojnë rrezikun për iktus, si dieta, pirja e duhanit dhe konsumimi i alkoolit.
Neurology 2023. Doi: 10.1212/WNL.0000000000207480
https://doi.org/10.1212/WNL.0000000000207480