tet112024
Dieta e shëndetshme në fëmijëri redukton rrezikun për sëmundje inflamatore intestinale
Më shumë peshk dhe perime dhe më pak pije me sheqer në moshën 1 vjeçare përkthehet në rrezik më të ulët për sëmundje inflamatore intestinale më vonë në jetë, sipas një studimi të botuar në Gut.
"Rritja në nivele globale e sëmundjeve inflamatore intestinale (IBD) nuk ka asnjë shpjegim të qartë. Mendohet se një faktor përcaktues janë zakonet dietike që ndikojnë në mikrobiotën intestinale, e cila është më e ndjeshme veçanërisht gjatë viteve të para të jetës. Hulumtimet e mëparshme kanë analizuar modelet e të ngrënit dhe rrezikun për IBD te të rriturit, ndërsa te fëmijët këto hulumtime kanë qenë më të pakta", shpjegon autorja kryesore e studimit Annie Guo nga Universiteti i Goteborgut në Suedi.
Për t'u thelluar më thellë në këtë temë, studiuesit vlerësuan të dhënat dietike të 81,280 njëvjeçarë në Suedi dhe Norvegji të regjistruar në dy studime të bazuara në popullatë, All Children in Southeastern Sweden (ABIS), dhe Norwegian Mother, Father and Child Cohort Study (MoBa). Prindërve iu bënë pyetje specifike në lidhje me dietat që ndiqnin fëmijët e tyre në moshën 12-18 dhe 30-36 muajsh. Cilësia e dietës u vlerësua si e ulët, e mesme ose e lartë bazuar në konsumin e perimeve, frutave, produkteve të qumështit dhe peshkut, mishit, ëmbëlsirave dhe pijeve me sheqer. Shëndeti i fëmijëve u monitorua nga mosha 1 deri në mesatarisht 21 vjeç për ABIS dhe 15 vjeç për MoBa.
Gjatë kësaj periudhe, 307 pjesëmarrës u diagnostikuan me IBD, 131 me sëmundjen Crohn, 97 me kolit ulceroz dhe 79 me IBD të paklasifikuara. Konsumi i lartë i peshkut në moshën 1 vjeçare, krahasuar me konsumin e ulët të tij e uli rrezikun për kolit ulceroz me 54%. Konsumi i lartë i perimeve në moshën një vjeçare e reduktoi rrezikun e përgjithshëm për IBD, ndërsa konsumi i lartë i pijeve me sheqer, krahasuar me konsumin më të ulët e rriti me 42% rrezikun për IBD. Nuk kishte lidhje të qarta midis IBD dhe ndonjë prej grupeve të tjera ushqimore. Në moshën 3 vjeçare, vetëm konsumi i lartë i peshkut u shoqërua me një rrezik të reduktuar për IBD, veçanërisht për kolit ulceroz.
"Për shkak se studimi u krye në vendet me të ardhura të larta, është e paqartë nëse rezultatet mund të përgjithësohen edhe për vendet me të ardhura të ulëta ose të mesme që ndjekin zakone të ndryshme dietike", përfundojnë studiuesit.
Gut 2024. Doi: 10.1136/gutjnl-2023-330971
http://doi.org/10.1136/gutjnl-2023-330971