Mjekësi e përgjithshme

tet142022

Epilepsia mund të jetë edhe komplikacion i kirurgjisë bariatrike

Kirurgjia bariatrike mund të rrisë rrezikun për zhvillimin e epilepsisë, sipas një studimi të botuar në Neurology.

"Kur mendohet të bëhet një operacion bariatrik, pacientët duhet të flasin me mjekët e tyre për përfitimet dhe rreziqet e tij", tha autori kryesor i studimit Jorge Burneo nga Universiteti Ëestern në Londër.

"Edhe pse sjell shumë përfitime shëndetësore, gjetjet tona sugjerojnë se epilepsia është një rrezik afatgjatë i operacionit bariatrik për humbjen e peshës", vazhdon eksperti.

Studiuesit krahasuan pothuajse 17,000 pacientë që i ishin nënshtruar një operacioni bariatrik me më shumë se 620,000 pjesëmarrës obezë të cilët nuk i ishin nënshtruar operacionit. Pacientët me një histori konvulsionesh, epilepsie, faktorë rreziku për epilepsi, operacione të mëparshme në tru, çrregullime psikiatrike ose abuzim/varësi nga droga ose alkooli u përjashtuan nga analiza.

Gjatë një periudhe ndjekjeje minimale prej tre vjetësh, grupi i trajtuar me operacion tregoi një rrezik 45% më të lartë për të zhvilluar epilepsi sesa grupi që nuk i ishte nënshtruar operacionit. Për më tepër, pacientët që kishin pësuar një iktus pas operacionit bariatrik kishin 14 herë më shumë mundësi për të zhvilluar epilepsi krahasuar me ata që nuk kishin pësuar iktus.

Studiuesit vunë në dukje se nuk ishin në gjendje të matin statusin e obezitetit ose indeksin e masës trupore gjatë studimit dhe se disa sëmundje shoqëruese të lidhura me obezitetin mund të kishin ndikim në rrezikun për zhvillimin e epilepsisë.

Për më tepër, studimi nuk vlerësoi shkaqet dhe mekanizmat e mundshëm të lidhjes midis kirurgjisë bariatrike dhe rrezikut të epilepsisë. Edhe pse, sipas studiuesve hipotezat përfshijnë mangësitë nutricionale, të qenit nën anestezi të përgjithshme ose shkaqe të tjera të paqarta.

"Kërkimet e ardhshme duhet të hetojnë epilepsinë si një komplikacion potencial afatgjatë i kirurgjisë bariatrike, duke eksploruar efektet e mundshme të kësaj procedure", përfundojnë autorët.

 

Neurology 2022. DOI: 10.1212/WNL.0000000000201100
https://doi.org/10.1212/WNL.0000000000201100


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>