Mjekësi e përgjithshme

jan262023

Pankreatiti. Pas operacionit është e nevojshme mbështetja psikosociale

Sipas një studimi të ri të paraqitur në takimin vjetor të Southern Surgical Association në Florida dhe të botuar në "American College of Surgeons (JACS)", rreth dy të tretat e pacientëve që i janë nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale për pankreatitin kronik mbijetojnë më shumë se 10 vjet, më shumë se një e katërta e tyre përdorin opioide për të qetësuar dhimbjet çdo ditë dhe shumica e tyre kanë edhe shqetësime psikosociale.

"Pas operacionit, ne kirurgët mundohemi t'i kthejmë këta njerëz në jetën e tyre normale. Por, për kujdesin e këtyre pacientëve nevojitet më shumë se një operacion. Ne kemi nevojë për mjekë dhe profesionistë të kujdesit shëndetësor nga të gjitha disiplinat", shpjegon autori kryesor i studimit Gregory Wilson nga Universiteti i Cincinnatit.

Studiuesit studiuan 555 ndërhyrje të kryera për pankreatitin kronik te 493 pacientë në Universitetin e Cincinnatit në periudhën 2000-2020 dhe vlerësuan mbijetesën afatgjatë dhe rezultatet e këtyre pacientëve.

Ndërhyrjet e kryera përfshinin: pankreatektominë totale (48.5% të rasteve), rezeksionin e kokës së pankreasit me ruajtjen e duodenit (21.7%), procedurën Whipple me heqjen e kokës së pankreasit së bashku me duodenin, fshikëzën e tëmthit dhe kanalin biliar (16.2%), dhe pankreatektominë distale me heqjen e trupit dhe kokës së pankreasit dhe në disa raste edhe të shpretkës (12.8%).

12% e të gjithë pacientëve kishin nevojë për një ndërhyrje të dytë në një mesatare prej 20.6 muajsh dhe më pak se 1% e tyre kishin nevojë për një ndërhyrje të tretë. Incidenca e vdekjes brenda 30 ditëve (1.2%, gjashtë pacientë) dhe 90 ditëve (2.3%, 11 pacientë) pas operacionit u konsiderua e ulët.

Megjithatë, ekspertët vunë re probleme të rëndësishme psikosociale te këta pacientë pas rikuperimit nga operacioni, veçanërisht në lidhje me abuzimin me substancat dhe drogën, vetëvrasjen dhe sëmundjen hepatike në fazën përfundimtare.

Gjatë një ndjekjeje që varioi nga 26 deri në 118 muaj, 38.1% e pacientëve pinin duhan, 16.4% abuzonin me alkoolin dhe 29.6% përdornin opioide çdo ditë. Në terma të përgjthshëm, 165 pacientë vdiqën në një moshë mesatare 50.6 vjeç.

Shkaqet më të zakonshme të vdekjes ishin: infeksionet (16.4%), të ndjekura nga sëmundjet kardiovaskulare (12.7%), ndërlikimet e diabetit (10.9%), abuzimi me substancat (9.7%) dhe pankreatiti kronik progresiv (7.9%). Shkaqe të tjera kryesore që çuan deri në vdekje ishin: kanceri (7.3%) dhe vetëvrasja (3.6%).

 

JACS 2023. Doi: 10.1097/XCS.0000000000000575
http://doi.org/10.1097/XCS.0000000000000575


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>