kor202023
Kimioterapia dhe shtimi në peshë. Problemi mund të qëndrojë te disbioza
Ekziston një lidhje midis ndryshimeve të shkaktuara nga kimioterapia në mikrobiomën intestinale dhe shtimit në peshë që zakonisht shihet te pacientet me kancer gjiri, sipas përfundimeve të një studimi të botuar në "BMC Medicine".
"Ne kemi parë që pacientët që i nënshtrohen kimioterapisë humbasin masë muskulore dhe fitojnë masë dhjamore, e cila dihet se lidhet me sëmundjet kardiake, diabetin madje edhe me përsëritjen e kancerit. Pacientët e trajtuar me kimioterapi shfaqin shenja të inflamacionit dhe ndryshime të rëndësishme në numrin dhe shumëllojshmërinë e baktereve intestinale", shpjegon autori kryesor John Walker nga Universiteti i Albertës në Kanada.
Shumë njerëz bien në peshë pasi diagnostikohen me kancer, tendencë e cila duket se është e kundërt te pacientet me kancer gjiri që i nënshtrohen kimioterapisë, aq sa studimet kanë treguar se ndërsa 50% e pacienteve me kancer gjiri përjetojnë probleme me mbipeshën ose obezitetin përpara diagnozës, kjo përqindje rritet në 67% pas nisjes së trajtimit. Ndryshimet në dietë ose në modelet e ushtrimeve që ndiqen gjatë terapisë nuk janë mjaftueshëm domethënëse për të shpjeguar këtë dallim, pasi ato prekin të gjithë pacientët që trajtohen për kancer.
"Njerëzit janë të prirur të jenë pak më pak aktivë gjatë dhe pas kimioterapisë, por gjithashtu janë të prirur edhe të reduktojnë ndjeshëm marrjen e kalorive. Pra, është e qartë se ka diçka unike në këtë modulim të mikrobiomës intestinale për pacientet me kancer gjiri që trajtohen me kimioterapi", thotë Walker.
Studiuesit theksojnë se nuk është çudi që barnat e kimioterapisë të ndikojnë në bakteret intestinale, pasi disa prej tyre rrjedhin nga antibiotikët dhe të gjithë metabolizohen përmes mëlçisë dhe më pas përmes intestinit.
"Kanceri i gjirit është një histori e pashembullt suksesi në mjekësi. Sot ne shohim norma kurimi mbi 90%, çka do të thotë se mbijetesa tani është po aq e rëndësishme sa shërimi. Ne duam të sigurojmë pacientët tanë që gjatë mbijetesës nuk do t'i duhet të përballen me pasojat metabolike të shtimit në peshë", përfundojnë autorët.
BMC Medicine 2023. Doi: 10.1186/s12916-023-02751-8
http://doi.org/10.1186/s12916-023-02751-8