qer132024
Zbulohet testi i ri që parashikon demencën
Një test novator, i zhvilluar nga kërkuesit e Universitetit Queen Mary në Londër, ka rezultuar efikas në parashikimin e shfaqjes së demencës pothuajse që nëntë vjet përpara diagnostikimit zyrtar, me më shumë se 80% saktësi. Kjo metodë e re përbën një përparim të madh, krahasuar me testet tradicionale të kujtesës dhe me matjet e tkurrjes cerebrale. Ky test parashikues novator përbën edhe një hap të rëndësishëm në luftën kundër demencës, duke ngjallur shpresa të reja për parandalimin dhe trajtimin e sëmundjes së Alzheimerit dhe formave të tjera të demencës.
Ekipi i studimit, i drejtuar nga profesori Charles Marshall, e ka zhvilluar testin duke analizuar rezultatet e rezonancave magnetike funksionale (fMRI) për dallimin e ndryshimeve në rrjetin e modalitetit të parazgjedhur (DMN) të trurit. DMN është një rrjet nervor që lidh disa zona cerebrale për zhvillimin e disa funksioneve specifike konjitive dhe është e para që preket nga sëmundja e Alzheimerit.
Studiuesit kanë përdorur fMRI-të e 1.100 vullnetarëve të UK Biobank, një bazë e gjerë të dhënash biomjekësore, që përmban informacione gjenetike dhe shëndetësore të gjysmë milioni pjesëmarrësve nga Mbretëria e Bashkuar. Analiza u përqendrua në lidhjen që kanë dhjetë zonat e trurit që përbëjnë DMN-në me njëra-tjetrën, duke i caktuar çdo pacienti një vlerë probabiliteti për demencë, të bazuar në përputhshmërinë e modelit të tyre të lidhjes me ato treguese të sëmundjes.
Nga krahasimi i parashikimeve me të dhënat mjekësore të pjesëmarrësve, rezultatet treguan se modeli mund ta parashikonte me saktësi shfaqjen e demencës pothuajse që nëntë vjet përpara diagnostikimit. Në rastet kur vullnetarët shfaqën zhvillim të sëmundjes, modeli ishte në gjendje të vlerësonte, me një marzh gabimi prej dy vjetësh, kohën e nevojshme për diagnostikim. Përveç parashikimit të sëmundjes, studimi analizoi edhe nëse ndryshimet e DMN shkaktoheshin nga faktorë rreziku të njohur për demencën. Rezultoi se rreziku gjenetik për Alzheimer lidhej ngushtë me këto ndryshime, duke mbështetur edhe idenë se ato janë specifike të sëmundjes. Për më tepër, izolimi shoqëror u identifikua si një faktor që mund të shtojë rrezikun për demencë, duke ndikuar në lidhjen e DMN-së.
"Parashikimi se kush do të zhvillojë demencë në të ardhmen, do të jetë thelbësor për zhvillimin e trajtimeve që mund të parashikojnë humbjen e parikuperueshme të qelizave cerebrale. Shpresojmë që matja e funksionit cerebral që kemi zhvilluar, të na lejojë të jemi më të saktë në të përcaktuarit nëse një individ është vërtet në prag të zhvillimit të demencës dhe për sa kohë do të ndodhë ajo, me qëllim identifikimin e individëve që mund të përfitojnë nga trajtimet e ardhshme", pohoi Marshall.
Autori kryesor i studimit, Samuel Ereira, shtoi: "Duke përdorur këto teknika analizimi me grupe të mëdha të dhënash, ne mund të identifikojmë individët me rrezik më të lartë për demencë, si dhe të dallojmë cilët faktorë rreziku mjedisorë ndikojnë në zhvillimin e sëmundjes. fMRI është një pajisje mjekësore imazherike jo invazive dhe do pothuajse gjashtë minuta për të grumbulluar të dhënat e nevojshme. Pra, ajo mund të kryhet në rrugëtime diagnostikuese ekzistuese".