kor232024
Barnat biologjike dhe pacientët me artrit reumatoid dhe sëmundje renale kronike
Në një studim është evidentuar efikasiteti dhe siguria e barnave biologjike, modifikuese të sëmundjes (bDMARD-et) te pacientët me artrit reumatoid (RA), sëmundje renale kronike (CKD), përfshirë edhe ata që i nënshtrohen hemodializës (HD).
Rëndësia e tij qëndron në vlerësimin afatgjatë (36-mujor) të ruajtjes së barnave, një tregues kyç i efikasitetit dhe sigurisë, në një popullsi prej 425 pacientësh me nivele të ndryshme funksionaliteti renal. Rezultatet kryesore tregojnë se bDMARD-et janë efikase dhe të sigurta për pacientët me RA dhe CKD, me sukses të veçantë për inhibitorët e interleukinës-6 (IL-6i) te pacientët me shpejtësi të filtrimit glomerular të vlerësuar (eGFR) në më pak se 30 mL/min/1,73 m2.
Studimi u projektua si një studim grupi retrospektiv, duke analizuar të dhënat e pacientëve, të cilëve u është përshkruar bDMARD i parë në vitet 2004-2021 në dy spitale. Spitalet u ndanë në grupe në bazë të funksionalitetit renal dhe llojit të bDMARD të përdorur: inhibitorët e faktorit të nekrozës tumorale alfa (TNFαi), inhibitorët e interleukinës-6 (IL-6i) dhe imunoglobulina citotoksike T-limfocitare e antigjenit 4 (CTLA4-Ig). Rezultatet parësore përfshinin normën e ruajtjes barit për 36 muaj, ndërsa rezultatet dytësore përfshinin ndryshimet në pikët e aktivitetit të sëmundjes (DAS28), dozën e prednizolonit dhe arsyet e ndërprerjes së trajtimit.
Normat e ruajtjes së barit për 36 muaj ndryshonin ndjeshëm në bazë të funksionit renal dhe ndaj tipit të bDMARD. Në përgjithësi, të gjitha bDMARD-et shfaqën përmirësime të konsiderueshme në pikët DAS28-CRP/ESR, si dhe përdorim të reduktuar të prednizolonit. Këto përmirësime u vërejtën te të gjitha grupet e funksionit renal, duke evidentuar efikasitetin e këtyre barnave edhe te pacientët me CKD të avanzuar.