News

kor132018

Ndotja e ajrit ka rritur vdekshmërinë te shqiptarët. ISHP: Çdo vit vdesin 38 në 100 mijë banorë

Ndotja e ajrit po ndikon në plakjen e parakohshme të shqiptarëve. Vendi ynë vazhdon të jetë disa herë mbi normën mesatare europiane përsa i përket nivelit të ndotjes së ajrit. Ekspertët thonë se nëse krahasohen dy njerëz të së njëjtës moshë, ai që jeton në zonë më të ndotur pëson zvogëlim të vëllimit të trurit dhe plakje të parakohshme te qelizave. Mjekja neurologe Aida Qoku pohon që kjo është e provuar shkencërisht.
"Kjo ka të bëjë me vdekjen qelizore dhe me neuroinflamacionin e shkaktuar nga ndotësit që gjenden në ajër. Kjo është e vërtetuar shkencërisht", shprehet mjekja neurologe Aida Qoku.

Niveli i lartë i ndotjes së ajrit si nga grimcat e pluhurit PM10, ashtu edhe nga gazrat që çlirohen nga karburantet e automjeteve, ndikojnë negativisht në sistemin nervor të njeriut. Pasojat janë edhe më të rënda te fëmijët e vegjël, pasi ka studime që e lidhin këtë ndotje me autizmin apo zhvillimin psikomotor të fëmijës.

"Dioksidet e azotit janë elementi kryesor i formimit të smogut fotokimik i cili në prani të temperaturës hyn në reaksion me grimca e përbërës kimikë dhe formon foto toksina të cilat dëmtojnë rëndë jo vetëm sistemin respirator, por edhe atë nervor. Në zonat e ndotura, vëllimi i trurit të njerëzve është më i vogël se ai i bashkëmoshatarëve të tyre që jetojnë në zonë të pastër.

Ndikimi i mjedisit mbi zhvillimin e fëmijës është me efekt të shpejtë dhe pasqyrohet në zhvillimin psikomotor", shprehet eksperti i shëndetit publik në ISHP, Enver Roshi.

Mjekët thonë se niveli i lartë i ndotjes së ajrit lidhet me një sërë sëmundjesh degjenerative të trurit të cilat në vendin tonë jo vetëm që janë shtuar, por edhe kanë prekur mosha të reja. Të tilla janë skleroza e shumëfishtë, parkinsoni e të tjera.

"Ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes ndotësve të ajrit, sidomos të grimcave PM10 dhe PM 2.5, me patologjitë neurologjike, siç janë aksidentet cerebro-vaskulare dhe sëmundjet degjenerative, si parkinsoni e demenca. Ndërkohë, është vënë re rritje e autizmit dhe skizofrenia, për shkak të ndotjes", thekson mjekja Quko.

Ndikimi i ndotjes së ajrit në tru, në mushkëri etj. ka rritur vdekshmërinë te shqiptarët. Sipas statistikave, çdo vit vdesin 38 persona për 100 mijë banorë.

 

Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>