tet192018
Më 19 nëntor, konkursi për shefat në QSUT.
Tritan Shehu: Kriteret e përzgjedhjes janë klienteliste
Në nëntor pritet të ndërrohen shefat e shërbimeve shëndetësore në Qendrën Spitalore "Nënë Tereza". 41 shefa shërbimesh aktualisht janë në ethe, pasi ndonëse kanë qëndruar 7 vjet në krye (3 vjet mbi mandatin, duke qenë se janë zgjedhur që në vitin 2011), mund të mos jenë më, megjithëse janë profesorë të njohur dhe me eksperiencë të gjatë pune. Kriteret e reja për përzgjedhjen e shefave të shërbimeve për ish-kryetarin e komisionit të shëndetësisë, Profesor Tritan Shehu janë klienteliste.
"Për mendimin tim, duhet kuptuar roli kryesor që kanë shefat e shërbimeve në kërkimin shkencor. Për mua, është ulur shumë steka në përzgjedhjen e tyre dhe jo pa qëllim, por për të vendosur njerëzit e tyre".
Në shëndetësi është përfolur gjithmonë që të "vjetrit" nuk iu hapin rrugë "të rinjve" dhe ndonëse jo para kamerave, kandidatët e rinj thonë se u janë vënë kufizime në mënyrë që të përzgjidhen sërish ata, pasi në disa shërbime janë vetëm dy pedagogë, ndërkohë që një kriter është që të kenë qenë pedagogë nga 5 deri në 10 vjet në Universitetin e Mjekësisë, publik ose privat. Kjo do të thotë që kriteri numër 10 është përjashtues për disa dhe favorizues për disa të tjerë. Konkursi i kandidatëve për 41 shërbimet është në datën 19 nëntor dhe komisioni i ngritur për vlerësimin e mjekëve që do të drejtojnë shërbimet shëndetësore ka në përbërjen e tij vetëm një mjek, që është dekani i Fakultetit të Mjekësisë. Ndërkohë që Ministria e Arsimit përfaqësohet nga drejtori juridik, Ministria e Shëndetësisë përfaqësohet nga drejtori i kabinetit, që është post plotësisht politik, kur në fakt mund të përfaqësohej nga drejtori i drejtorisë spitalore, që lidhet me këtë garë.
"I gjithë komisioni është administrativ. Por gara për shefat e shërbimeve nuk është administrative. Ata nuk janë administratë. Ajo është një garë për mjekë me aftësi shumë të mira e me tituj shkencorë në këtë fushë", shprehet Profesor Shehu.
Gjithsesi, edhe lista e kandidatëve të përzgjedhur do të marrë miratimin e ministres së Shëndetësisë dhe për Tritan Shehun, edhe në përzgjedhjen e shefave të shërbimeve përfshihet politika.
Kriteret dhe dokumentet për aplikim, i gjeni KËTU.
Alma Demiraj