News

nën62018

Sëmundjet malinje të gjakut.

Ivanaj: Në Shqipëri nuk bëhet i gjithë trajtimi

Të sëmurët me sëmundje malinje të gjakut në vendin tonë nuk mjekohen sipas protokolleve mjekësore, pasi ata nuk e bëjnë të gjithë trajtimin siç duhet për këtë sëmundje. Kjo, për faktin se jo të gjitha barnat gjenden në vendin tonë. Mjeku hematolog Arben Ivanaj thotë se është bërë shumë për këtë shërbim, por duhet bërë akoma, pasi ritmet janë të ngadalta.

"Nëse për një sëmundje trajtimi nis me disa medikamente nga A deri në ZH, për sëmundjet malinje të gjakut ne në Shqipëri arrijmë deri nga mesi", shprehet dr. Ivanaj.

Në vendin tonë, përllogaritet të ketë rreth 450 raste të reja në vit me sëmundje malinje të gjakut, përfshi leucemitë kronike. Po kështu, jetëgjatësia e pacientëve me sëmundje malinje të gjakut në vendin tonë është gjysma e jetëgjatësisë së atyre me të njëjtën sëmundje në vende të tjera të Europës. "Nëse në vende të tjera, një pacient me sëmundje malinje të gjakut jeton 10 vjet, te ne jetëgjatësia është gati dyfish më pak ", thekson mjeku hematolog.

Rritja e numrit të pacientëve me sëmundje malinje të gjakut lidhet edhe me ndikimin e faktorëve të jashtëm që për mjekun hematolog Ivanaj, ndër më të rëndësishmet janë kimikatet që i gjejmë kudo, në kozmetikë dhe në ushqime. "Përveçse lidhen me gjenetikën, këto sëmundje ndikohen shumë edhe nga faktorë të jashtëm, kryesisht nga kimikatet që i hasim në parfumeri, në industri, në bujqësi, kudo", thotë ai.

Kimikatet godasin gjenet e njeriut duke bërë që të devijojë i gjithë procesi i qelizave të gjakut. Mjekë hematologë të mbërritur nga Italia, SHBA-ja e vende të tjera të zhvilluara, të cilët diskutuan për mënyrat e trajtimit të këtyre sëmundjeve, u ndalën të gjithë në një pikë. Kërkohet shtim i fondeve për shërbimin e hematologjisë.

 

Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>