mar52019
Ndryshon sërish ligji antiduhan. MSH: Jemi në fazë konsultimesh
Cigaret nuk do të shiten më në çdo pikë të mundshme. Një projektligj i ri ka për qëllim t'i pajisë pikat e shitjes së këtij produkti me një licencë të veçantë.
Së shpejti, një paketë cigare nuk do të mund blihet në çdo dyqan lagjeje apo supermarket. Ministria e Shëndetësisë me anë të një projektligji për ndryshimin e ligjit për duhanin, ka kërkuar që pikat e shitjes së produkteve të duhanit të pajisen me një licencë të veçantë me qëllim, kufizimin e numrit të pikave të shitjes së këtyre produkteve në vend. Sipas ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, do të ketë ashpërsim të masave antiduhan në mbrojtje të konsumatorëve, por paketa po diskutohet në grupet e interesit.
"Jemi në fazë konsultimesh për ndryshimin e ligjit për mbrojtjen nga produktet e duhanit, konsultime me grupet e interesit, qoftë ata në mbrojtje të shëndetit, qoftë ata të tregtimit të duhanit.
Synimi ynë është të forcojmë akoma më tej masat kundër duhanpirjes në ambientet publike, për të mos lejuar askënd të abuzojë me ligjin, duke shkuar deri në mbyllje të aktivitetit dhe heqje të licencës për ato subjekte që gjobiten në mënyrë të vazhdueshme", u shpreh ministrja e S hëndetësisë.
Anketimi i fundit i INSTAT-it nxori se pirja e duhanit ka rënë, nga 43% e popullsisë së rritur që ishte në vitin 2008, në 35% në vitin 2018 te meshkujt e moshës 15-49 vjeç, teksa është rritur me 1 pikë, përqindja e pirjes së duhanit nga femrat, për të njëjtën periudhë.
Duhanpirësit u reduktuan me rreth 7 për qind përgjatë një dekade, teksa qeveria shtrëngoi masat kundër pirjes së duhanit. Ndryshimet parashikojnë edhe ndalimin e shitjes së paketave me 10 cigare ose më pak, si edhe e cigareve apo duhanit të dredhur i cili ka shije që fsheh atë origjinale, si mentol, vanilje etj."
Alma Demiraj