shk262020
Coronavirusi. Masat parandaluese janë e vetmja mundësi e mbajtjes nën kontroll. Ja, studimi
Sipas një studimi të publikuar në "Science", ndonëse kërkuesit kanë mbledhur dhe ndarë informacione në kohë rekord, për momentin, edhe ekspertët e kanë të pamundur ta kuptojnë se si do të zhvillohet situata e coronavirusit të ri.
Në një analizë të zgjeruar të situatës, Kai Kupferschmidt e Jon Cohen shpjegojnë se sa e rëndësishme është për ata që merren me modele matematike, që të njohin rastet edhe jashtë Kinës, për të kuptuar lehtësinë me të cilën përhapet virusi, sa i sëmur ai njerëzit dhe nëse njerëzit asimptomatikë mund të infektojnë të tjerët. Kjo, mbi të gjitha sepse kërkuesit kinezë, që po luftojnë për të kontrolluar virusin, nuk mund t'u përgjigjen të gjitha pyetjeve. Sipas ekspertëve, mund të verifikohen dy skenare në zhvillimin e përhapjes së virusit. Më optimisti është ai në të cilin coronavirusi i ri mbetet më së shumti i kufizuar në Kinë.
Duke qenë se gripi përhapet zakonisht gjatë muajve dimërorë dhe e godet Kinën veriore dhe atë jugore në momente të ndryshme, nëse kjo skemë do të ishte e aplikueshme edhe për Sars-CoV-2, përhapja e tij, brenda pak muajsh, mund të nisë të ngadalësohet në hemisferën veriore. Suksesi i përmbajtjes, ama, varet shumë nga masat e ndërmarra dhe nga fakti se sa i transmetueshëm është virusi nga njerëzit asimptomatikë. Skenari i dytë është ai i pandemisë, që shumë kërkues e quajnë tashmë të paevitueshëm. Në këtë rast, virusi mund të shndërrohet në një shoqërues të qëndrueshëm në popullsi. Në një koment të tijin, Giovanni di Guardo (Universiteti i Teramos), thekson se sa herë që duhet përballuar një emergjencë e shëndetit publik, e shoqëruar nga njohja e pakët e patogjenit përgjegjës, siç është për shembull encefalopatia spongiforme e gjedhit, është e nevojshme të merren masa të frymëzuara nga parimi i parandalimit, në mënyrë që të reduktohet në minimum ekspozimi i njerëzve.
Në rastin e SARS-CoV-2 transmetimi viral ndërnjerëzor i ka shtyrë autoritetet shëndetësore kineze që të marrin një sërë masash, të cilat autori i përkufizon "drakoniane", të frymëzuara nga parimi i masave paraprake, në veçanti në provincën e Hubeit dhe kjo është, sipas tij, shumë e justifikuar nga mungesa e njohjes, që vlen edhe për zhvillimin e një imuniteti mbrojtës dhe afatgjatë ndaj virusit. Eksperti gjen rastin për të vënë në dukje rëndësinë e imunizimit të popullsisë kundër fruthit, duke qenë se është e njohur që pacientët e prekur nga fruthi kanë një humbje të rëndësishme të kujtesës imunitare kundrejt agjentëve patogjenë të hasur më parë.
Science 2020. Doi: 10.1126/science.367.6478.610
https://science.sciencemag.org/content/367/6478/610