mar32020
Coronavirusi. Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi, zero raste të konfirmuara
Italia ka konfirmuar deri më tani 1835 raste të infektuara me coronavirus, ndërsa 55 vetë kanë humbur jetën. Në Greqi janë infektuar 8 vetë dhe në Maqedoni ka patur dy raste. Por, ka vende të cilat edhe pse janë fqinje me vendet e prekura, nuk kanë raportuar asnjë të infektuar.
Në Shqipëri, ku vetëm në 24 orët e fundit kanë hyrë 17830 udhëtarë, janë testuar gjithsej 36 vetë, të cilët kanë ardhur nga vendet e prekura, kryesisht Italia dhe kanë shfaqur simptoma, por nga analizat laboratorike kanë rezultuar negativë. Por, përveç Shqipërisë nuk kanë raportuar asnjë rast as Kosova, Mali i Zi dhe Serbia, domethënë se edhe ato janë të paprekura deri më tani nga Covid 19. Andi Koraqi, shef i Mikrobiologjisë dhe njëkohësisht zëvendës dekan i Fakultetit të Mjekësisë shpjegon për doktor33 se rritja e temperaturave e shkatërron coronavirusin. Të paktën, kjo ndodh me viruset e kësaj familjeje.
"Coronavirusi ka një jetëgjatësi në ambient të jashtëm deri në 8-9 orë. Te shumë pacientë, Covid 19 nuk shfaq simptoma dhe në vendin tonë analizohen vetëm ata që kanë simptoma dhe kanë histori me vendet e prekura. Virologët ndajnë mendime se në një temperaturë mbi 26 gradë celsius, Covid 19 mund të shkatërrohet", shprehet Koraqi.
Ardhja e pranverës, me rritjen e temperaturave pritet të shënojë rënie të numrit të të prekurve edhe në ato vende ku Covid 19 po përhapet me shpejtësi. Por, gjithsesi, kjo mbetet për t'u parë në ditët në vijim.
Alma Demiraj