mar112020
Covid 19. Kryeministri: 1000 euro shpërblim për mjekët dhe infermierët
Kryeministri Rama në mbledhjen e Këshillit të Ministrave ka njoftuar shpërblim për personelin mjekësor, duke filluar nga 1000 euro shtesë mbi rrogën për mjekët dhe infermierët e vijës së parë, dhe 500 euro shtesë për sanitarët dhe shoferët e ambulancave.
Gjithashtu, Rama ftoi edhe mjekët që janë në pension të bashkohen me personelin mjekësor, ndërsa konfirmoi se do të paguheshin 1000 euro mbi pension të gjithë ata mjekë në pension që kontribuonin në këtë "luftë" kundër coronavirusit.
"Personeli shëndetësor është i jashtëzakonshëm, e tregoi veten edhe në fatkeqësinë e madhe të 26 nëntorit. Sipas parashikimit dhe sipas meritës, kemi vendosur që të gjithë personelin mjekësor, të angazhuar në sistemin e vijës së parë në luftën frontale me coronavirusin, nga autoambulancat që shkojnë për vendosjen e tamponave dhe marrin analizat.
Mjekët dhe infermierët do t'i paguajmë 1000 euro plus në muaj deri në mbarimin e epidemisë, sanitarët dhe shoferët, 500 euro plus.
Kjo është koha që eksperienca dhe kthjelltësia janë pasuria më e çmuar.
Edhe ata që janë ende në formë, por që kanë dalë në pension do të paguhen 1000 euro mbi pensionin e tyre për të kontribuar në këtë luftë.
Nuk e zmadhoj kërcënimin e kësaj epidemie, por është epidemi që ka kapacitetin të marrë jetë njerëzish", u shpreh Rama.
Alma Demiraj