pri32020
Coronavirusi. Ja, si i përgjigjet infeksionit një individ i shëndetshëm. Australianët bëjnë hartën imunologjike
Studiuesit australianë kanë arritur të hartojnë përgjigjen imune të trupit ndaj coronavirusit të ri, duke evidentuar sjellje të ngjashme me atë që gjendet në viruset e gripit. Ekspertët e Universitetit të Melburnit testuan mostrat e gjakut në katër pika të ndryshme kohore te një grua 47-vjeçare e shëndetshme më parë, e cila mbërriti në Australi nga Vuhani, që kishte Covid-19 me simptoma të buta deri në mesatare dhe që kishte nevojë për shtrimin në spital.
"Ne ekzaminuam shtrirjen e plotë të përgjigjes imune te kjo paciente duke përdorur njohuritë që kemi grumbulluar gjatë shumë viteve ndërsa vëzhgonim përgjigjet imunitare te pacientët me grip, të shtruar në spital", thotë Katherine Kedzierska, autore kryesore e punimit të botuar në "Nature Medicine".
Analiza u bë e mundur falë SETREP-ID (Sentinel Travelers and Research Preparedness for Emerging Infectious Disease), një platformë që jep mundësi për kryerjen e një game të gjerë kampionimesh biologjike tek udhëtarët e riatdhesuar në rast të një shpërthimi të ri dhe të papritur të sëmundjes infektive.
Në këtë mënyrë, ekspertët kanë qenë në gjendje të analizojnë përgjigjen imune që çon në shërimin pozitiv nga Covid-19 dhe që mund të jetë sekreti për të gjetur një vaksinë efektive. Tri ditë pasi pacientja ishte shtruar në spital, studiuesit vëzhguan një popullsi të madhe qelizash të ndryshme imune, të cilat shpesh janë një sinjal i rimëkëmbjes gjatë infeksionit të gripit sezonal dhe parashikuan se pacientja do të shërohej brenda tre ditësh, gjë që ndodhi saktësisht ashtu.
"Kemi parë se te një individ i shëndetshëm, edhe nëse Covid-19 është shkaktuar nga një virus i ri, një reagim i fortë imunitar me lloje të ndryshme qelizash shoqërohet me një shërim klinik të ngjashëm me atë që shohim në rastet e gripi. Do të jetë e mundur të përdorim metodat tona për të kuptuar përgjigjet imune në grupe më të mëdha me Covid-19 dhe gjithashtu, të kuptojmë se çfarë mungon tek ata që kanë rezultate fatale", thonë autorët. Ekspertët theksojnë se, duke pasur parasysh se vlerësimet aktuale tregojnë se mbi 80% e rasteve Covid-19 janë të buta deri në mesatare, të kuptuarit e përgjigjes imune në këto raste do të jetë një fushë shumë e rëndësishme kërkimore.
"Tani shpresojmë të zgjerojmë punën tonë në shkallë vendi dhe ndërkombëtare, për të kuptuar pse disa njerëz vdesin për shkak të Covid-19 dhe për të zhvilluar njohuri të mëtejshme", përfundojnë autorët.
Nature Medicine 2020. Doi: 10.1038/s41591-020-0819-2
https://doi.org/10.1038/s41591-020-0819-2