kor302020
Mjekë italianë në ndihmë për situatën Covid-19 në Shqipëri
Italia duket se po i kthen nderin e pak kohëve më parë Shqipërisë, kur dy grupe infermierësh udhëtuan drejt shtetit fqinjë për t'i ndihmuar pikërisht në momentet më të vështira që përjetoi Italia përsa i përket pandemisë Covid-19.
Tanimë, kur Italia duket se e ka vënë në kontroll situatën dhe Shqipëria e ka pothuajse jashtë kontrollit, fqinjët tanë ofrohen për të na ndihmuar jo vetëm me infermierë, por edhe me mjekë, epidemiologë dhe ekspertë të emergjencave. Bëhet fjalë për një ekip të mirëfilltë ekspertësh. Italia tanimë ka raste të reja çdo 24 orë, por janë më tepër raste të importuara nga emigrantët dhe as që mund të krahasohen me situatën e muajit shkurt e mars. Në spitalet e Italisë nuk infektohesh më nëse shkon për një shërbim tjetër shëndetësor pa patur lidhje me Covid-19. Çdo pacient kryen me parë tamponin e më pas shtrohet, gjë që nuk ndodh në Shqipëri, ku spitalet u shndërruan në vatra të përhapjes së infeksionit.
Shqipëria ka shpërthime komunitet dhe kjo vështirëson gjurmimin dhe izolimin e tyre. Ndaj, tani virusi po qarkullon më lirë në popullatë, ku shqiptarët ndryshe nga italianët nuk janë striktë në respektimin e masave të njëjta që na mbajnë larg, për të mos rënë në kontakt me coronavirusin. Burime të Doktor33 bëjnë më dije se ky ekip do të qëndrojë për dy javë në vendin tonë. Ky grup përbëhet nga funksionarë të emergjencave civile në Pulia, një mjek dhe një infermier nga Lombardia. Po kështu, ekipit italian i është bashkuar një mjek infeksionist nga Lacio, një infermiere nga urgjenca në Piemonte dhe një anestezist. Përveç ekipit të ekspertëve, nga Italia mbërrijnë edhe 500 mijë maska kirurgjikale.
Alma Demiraj