mar302021
Problemet e gjumit dhe lodhja e tepërt shtojnë rrezikun e infektimit me Sars-CoV-2
Pagjumësia, gjumi jo i mirë dhe lodhja e tepërt janë të lidhura jo vetëm me një rrezik më të lartë për t'u infektuar me infeksionin nga coronavirusi i ri, por edhe përballja me një sëmundje më të rëndë dhe një periudhë më të gjatë shërimi, sipas një studimi të botuar në "BMJ Nutrition Prevention & Health". "Gjumi i pakët e i keq dhe stresi i vazhdueshëm në punë, janë faktorë që lidhen me një rrezik në rritje për infeksione virale dhe bakteriale, por nuk është e qartë nëse ata janë gjithashtu faktorë rreziku për Covid-19", shpjegon Hyunju Kim (Universiteti Johns Hopkins në Baltimorë, SHBA), autori kryesor i studimit.
Për të kuptuar më mirë situatën, studiuesit u propozuan një sondazh punonjësve të kujdesit shëndetësor të ekspozuar ndaj pacientëve me infeksion Covid-19 në Francë, Gjermani, Itali, Spanjë, Britani dhe në SHBA. Të anketuarit dhanë detaje personale mbi stilin e jetës, shëndetin, përdorimin e barnave me recetë dhe integratorëve dietikë, si dhe informacion mbi sasinë e gjumit gjatë natës dhe gjatë ditës vitin e kaluar, probleme të mundshme me gjumin, mbilodhje (burnout) dhe ekspozim në vendin e punës ndaj infeksionit Covid-19.
Ashpërsia e infeksionit u përcaktua si: shumë e lehtë nëse nuk kishte ose thuajse nuk kishte asnjë simptomë; e lehtë nëse kishte temperaturë me ose pa kollë, por nuk ishte i nevojshëm trajtimi; e moderuar nëse kishte temperaturë, simptoma respiratore e pneumoni; e rëndë, nëse verifikohej vështirësi respiratore dhe saturim i ulët me oksigjen; kritike, me prani të insuficiencës respiratore dhe asistencë mekanike ose terapi intensive.
Nga operatorët e kontaktuar, u përgjigjën 2,884 individë, 568 prej të cilëve kishin pasur Covid-19 dhe sasia mesatare e gjumit të natës të raportuar ishte më pak se shtatë orë, por më shumë se gjashtë. Pas llogaritjes së faktorëve të ndryshëm ngatërrues, çdo orë shtesë e gjumit gjatë natës shoqërohej me një mundësi më të ulët se 12% për t'u infektuar me një infeksion SARS-CoV-2. Sidoqoftë, të flesh një orë shtesë, por ta bësh atë gjatë ditës, lidhej me një mundësi 6% më të lartë për të marrë Covid-19, megjithëse kjo lidhje ndryshonte nga vendi në vend. 24% e njerëzve që kishin sëmundje nga coronavirusi i ri, raportuan se kishin vështirësi për të fjetur gjatë natës krahasuar me 21% të atyre pa infeksion dhe 5% e atyre që kishin infeksionin thanë se kishin tre ose më shumë probleme gjumi, duke përfshirë vështirësinë për të fjetur ose nevojën për të përdorur pilula gjumi, krahasuar me 3% të atyre që nuk kishin patur infeksion.
Krahasuar me ata që nuk kishin probleme me gjumin, ata me tre probleme kishin 88% më shumë gjasa të infektoheshin me Covid-19. 5.5% e njerëzve me Covid-19 raportuan se kishin patur mbilodhje, në krahasim me 3% të atyre pa infeksion dhe ata me mbilodhje kishin mbi dy herë më shumë gjasa për të marrë sëmundjen. Të intervistuarit me probleme të gjumit dhe mbilodhje kishin gjithashtu rreth tre herë më shumë mundësi të raportonin një infeksion serioz dhe kishin nevojë për një periudhë më të gjatë shërimi. Autorët theksojnë se studimi, duke qenë me natyrë vëzhguese, nuk është në gjendje të krijojë një lidhje shkakësore, por besojnë se rezultatet e tyre nxjerrin në pah rëndësinë e mirëqenies së punonjësve shëndetësorë gjatë pandemisë.
BMJ Nutrition Prevention & Health 2021. Doi: 10.1136/bmjnph-2021000228
http://doi.org/10.1136/bmjnph-2021000228