News

qer252021

Varianti "Delta" i coronavirusit riskon Shqipërinë. Skënder Brataj: Duhet të jemi të kujdesshëm me lehtësimin e masave. "Delta" na është afruar

Mutacioni "Delta" i coronavirusit ka alarmuar jo vetëm Anglinë, Portugalinë, Rusinë e SHBA-në, por tanimë edhe Greqinë, Maqedoninë e Veriut dhe Italinë, shtete fqinje me Shqipërinë. Instituti i Shëndetit Publik në vendin tonë deklaron se nuk ka konstatuar ende asnjë rast të prekur me variantin Delta, por në laboratorin e ISHP-së, edhe nëse ka raste të dyshuara me Delta, ato nuk mund të detektohen, pasi mostrat e tyre dërgohen në laboratorë më të specializuar në Gjermani apo vende të tjera.

Shqipëria po vijon me lehtësimin e masave anticovid dhe në 1 korrik pritet të kalojmë në të tjera masa lehtësuese, ndërkohë që kemi ftuar turistë duke mos kërkuar minimumi as tampon negativ, edhe për ata që vijnë nga Anglia, Italia apo vende të tjera ku tanimë janë alarmuar nga varianti Delta. Dr. Skënder Brataj, anëtar i komitetit teknik të ekspertëve është skeptik për vijimësinë e lehtësimit të masave anticovid, pasi i druhet një tjetër shpërthimi në shtator apo në fillim të vjeshtës.
"Unë nuk do të isha për lehtësime të tjera të masave. Duhet të jemi alertë ndaj mutacionit "Delta" i cili i ka krijuar situatë kritike edhe në Britaninë e Madhe, që është vendi me numrin më të madh të të vaksinuarve. Për faktin që tanimë e kemi shumë afër, do të vijë edhe te ne. Tani na favorizojnë temperaturat e larta, por dyshoj se gjatë këtyre muajve po krijojmë një serbator infeksioni që do të na shpërthejë në vjeshtë", u shpreh dr. Brataj.

Epidemiologët në Itali thonë se shumë shpejt, ky variant pritet të jetë dominues në shtetin fqinj. Kushdo që udhëton nga Britania e Madhe apo vendet e prekura nga Delta për në Itali futet në karantinë. Në lidhje me vaksinat, ende nuk ka studime të mirëfillta nëse "Delta" është rezistent ndaj tyre. Deri më tani janë prekur ata që nuk janë vaksinuar, si dhe ata që kanë marrë vetëm një dozë të vaksinës.


Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>